Agjenti i njohur, Mino Raiola, ka këshilluar yllin e Barcelonës, Lionel Mesi, që të transferohet diku tjetër për të provuar madhështinë e tij, sepse duke luajtur vetëm me katalanasit është diçka që shton dyshimet për meritat e tij. “Një lojtar si Leo duhet të provojë diçka tjetër me një klub ndryshe dhe të provojë se sa i madh është. Barcelona duhet të rishpiket sërish”, – ka thënë Raiola për gazetën “Marca”.
Shitja e Nejmarit
Agjenti ka dhënë mendimin e tij edhe për shitjen e Nejmarit te PSG-ja. Sipas tij, futbolli ka ndryshuar totalisht, madje nuk mund të quhet më i tillë. “Tani janë shtetet ato që blejnë lojtarë dhe ky nuk është futboll. Gjithsesi, transferimet prej 200 milionë eurosh tani e tutje do të jenë normale, nuk do të jetë diçka e çmendur t’i shohësh duke ndodhur”.