Mino Raiola është kthyer në armikun numër 1 të Milanit, pasi në verë tentoi ta ndante klubin kuqezi nga portieri Xhanluixhi Donaruma dhe bashkëpunimi në merkato ka marrë fund.
Pas humbjes së djeshme ndaj Lacios, agjenti i famshëm i futbollistëve përfitoi nga rasti për të hedhur vrer mbi Milanin dhe drejtuesit e rinj: “Fasone e Mirabeli? Nuk kam asgjë personale me ta, por problemi është që unë nuk besoj te projekti i tyre”. Fjalë të ashpra, që thjesht vazhdojnë një luftë të nisur prej kohësh.
Ndërkaq, Raiola ngacmon edhe Juventusin, duke folur për Paulo Dibalan: “Është një lojtar i madh dhe sipas meje do të largohet nga Juventusi. Është e vështirë në moshën e tij të bëhet lideri i një skuadre që duhet ndryshuar. Unë e shoh shumë mirë Dibalan te Reali apo në Angli, jo te Barcelona, që po rindërtohet”.