Mbrojtësi kroat i Skënderbeut shënoi golin e tretë në Lushnjë. Ai ka një mesazh për rivalët, ndërkohë që tërheqjen nga futbolli i luajtur s’e mendon ende
Leonard Trebicka
Marko Radas është një nga titullarët më të rëndësishëm të Skënderbeut. Ai i jep shumë siguri prapavijës kur është në fushë dhe herë pas here shënon edhe gola të rëndësishëm, siç bëri të shtunën, kur shënoi golin e sigurisë në fitoren 1-3 në stadiumin e Lushnjës. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, mbrojtësi me shumë përvojë nuk e vë aspak në diskutim titullin kampion dhe thekson se rivalët e Skënderbeut duhet të luftojnë vetëm për vendin e dytë. Për tërheqjen nga futbolli ai thotë se tani për tani nuk e mendon aspak.
– Radas, Skënderbeu u kthye te fitorja në transfertën ndaj Lushnjës. Sa e vështirë ishte?
– Ishte një ndeshje e vlerësuar maksimalisht nga ne. Këtë gjë bëjmë në fakt ndaj çdo kundërshtari, edhe me Lushnjën e vendit të fundit. Kundërshtari vinte pas asaj fitoreje në Kukës dhe pak a shumë kishte marrë zemër. Të gjitha fitoret janë të vështira, e dimë se duhet të djersish që t’i arrish. Shënuam të parët në atë 90-minutësh, por Lushnja na barazoi. Këmbëngulëm dhe arritëm sërish te suksesi.
– Shënuat nga goditja e dënimit dhe nuk është goli i parë për ju në këtë kampionat…
– Nuk është hera e parë që tentoj ta bëj këtë gjë. E provoj në çdo goditje dënimi nga jashtë zonës. Jam i lumtur për këtë gol, që është i dyti për mua në këtë sezon. Ju garantoj që do të ketë edhe të tjerë nga goditjet standarde.
– Ka ndonjë sekret Radas për ekzekutimin e goditjeve standarde?
– Nuk ka ndonjë sekret. Prej vitesh e bëj një gjë të tillë dhe shumë herë kam qenë i saktë, madje edhe kur distanca ka qenë më e madhe. Janë specialiteti im goditjet standarde, por në Lushnjë e kisha më të thjeshtë, sepse në portë ishte një lojtar.
– Vazhdoni të kryesoni, madhe shumë të qetë, pasi vendi i dytë ndodhet 9 pikë prapa. Sa komodë ndiheni?
– Kemi që javën e parë që jemi në këtë vend, tani vazhdojmë shkëputjen. Nuk është ndonjë risi, pasi kemi treguar se jemi ekipi më i mirë dhe se nuk do të falim deri në fund. Të gjithë e dinë tashmë se Skënderbeu është ekipi për t’u mundur. Jemi 9 pikë para vendit të dytë, por në vazhdim do të na shikoni më të shkëputur. Nuk do të ndalemi deri në momentin që të sigurojmë titullin. Jemi më të etur se kurrë për ta rikthyer titullin kampion në Korçë.
– Mos ndoshta Europa ju ka bërë mirë për t’ju mbajtur në tonus edhe në kampionat, pasi keni luajtur ndeshje më shumë se çdo skuadër tjetër?
– Kemi zhvilluar ndeshje pa fund, kemi bërë dy kampione bashkë. Përveç Superligës, e kemi përballuar në mënyrën më të mirë edhe Europa League, por kemi luajtur edhe në Kupën e Shqipërisë. Ndoshta fakti që kemi luajtur një ndeshje në tri ditë ka bërë që skuadra të jetë e karikuar vazhdimisht. Të them të drejtën, kjo na ka bërë vërtet mirë.
– Kukësi, Flamurtari, Partizani. Cili është rivali juaj më i fortë në garën e titullit?
– Të gjithë emrat që ju përmendët më sipër duhet të kenë objektiv vendin e dytë, pasi kreu është vetëm i Skënderbeut. Askush nuk mund të na e cënojë vendin e parë deri në fund. E dinë edhe vetë rivalët tanë se e kanë të pamundur të na konkurrojnë.
– Të premten vjen Teuta në Korçë. Çfarë parashikoni?
– Çdo ndeshje është e vështirë dhe e tillë është edhe kjo e radhës me Teutën. Durrsakët nuk janë ata që kanë qenë sezonet e kaluara për rezultatet që kanë marrë, por vazhdojnë të jenë një skuadër që vrapon shumë dhe në transfertë zhvillojnë ndeshje të mira. Ata humbën sot (dje) ndaj Kukësit, kështu që në Korçë do të përpiqen për të marrë diçka.
– Pas kësaj ndeshjeje fillojnë pushimet dimërore. Mezi po i prisni, apo jo?
– (Qesh) Vërtet mezi po i pres, jo vetëm unë, por të gjithë. Kanë qenë shumë ndeshje nga korriku deri tani. Kemi nevojë për të pushuar pak. Pas së premtes do të udhëtoj drejt Kroacisë për të qenë pranë familjes sime dhe për t’u ç’lodhur.
– Vitin e ardhshëm, a do të shikojmë të njëjtin Skënderbe?
– Vitin e ardhshëm Skënderbeu do të jetë i njëjtë, për të mos thënë më i fortë.
– Radas ky sezon do të jetë i fundit me Skënderbeun, nëse kemi parasysh moshën tuaj, apo do vazhdoni të luani me këtë skuadër?
– Kam akoma për të dhënë dhe nuk kam thënë ndonjëherë se do të tërhiqem. Tani për tani, jam duke menduar për fushën, të jap më të mirën. Për të tjerat flasim në të ardhmen.
– Ka shumë nga ata që thonë se Skënderbeu mund të shkojë në grupet e Championsit. Po ju, si mendoni?
– Skënderbeu ka hyrë në histori dhe grupet e Europa League. Sigurisht që objektivat rriten vit pas viti dhe sezonin tjetër do të kërkojmë grupet e Championsit.