Ofendimet raciste ndaj yllit të Mançester Sitit, Rahem Stërling, detyruan drejtuesit e Çelsit që të vepronin me “dorë të hekurt” ndaj tifozëve të ekipit të tyre. Katër mbështetës të bluve të Londrës janë pezulluar, pas episodeve të dënueshme të së shtunës në “Stëmford Brixh”.
Klubi njoftoi se ka ndërmarrë një veprim të shpejtë, për të pezulluar përkohësisht, personat që akuzohen për ofendime raciste, deri në zgjidhjen e plotë të ngjarjes. Nëse tifozët do të shpallen fajtorë, atëherë Çelsi ka premtuar se përjashtimi do të jetë i përjetshëm.
“Hetimet tona po vazhdojnë”, lexohej në deklaratën e klubit. “Mbështesim plotësisht edhe hetimet e policisë, të cilës do t’i kalojmë të gjitha informacionet, që kemi grumbulluar deri më tani”.