“Que Será, Será”, Poçetino nuk ia mbyll derën Realit

Mauricio Poçetino ka deklaruar se është i lumtur te Totenhemi, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e zëvendësimit të Zinedin Zidan në stolin e Realit, gjatë prezantimit në Spanjë të librit të tij “Një botë e re”.

Los Blancos janë tashmë pa trajner dhe është e qartë që emrat më të njohur në botë lidhen, të paktën nga mediat, me stolin e lënë bosh nga Zidan.

Poçetino, i cili më parë ka drejtuar Espanjolin në Spanjë, është kandidat serioz, duke qenë se ka shkëlqyer edhe në Angli, pavarësisht se nuk ka fituar ende trofe.

I pyetur nga spanjollja AS për një kalim të mundshëm në Madrid, Poçetino tha: “Unë jetoj në të tashmen, nuk ka asgjë më të rëndësishme se ajo. Më pëlqen ajo që po bëj tani dhe çfarë do të ndodhë, do të ndodhë. Një ish-futbollist i Argjentinës, Horge Grifa, më tha një herë që duhet ta lë futbollin të vendosë, nuk duhet ta ndryshoj fatin tim”.

Javën e shkuar Poçetino rinovoi me Totenhemin, me kontratën e re që skadon më 2023, por që tani kanë dalë zërat për largim nga Londra. Gjithsesi, trajneri argjentinas mohon ekzistencën e ndonjë klauzole në kontratë: “Nuk ekziston. As e shkruar dhe as verbale”.

Për sa i përket kolegut Zidan, Poçetino thotë: “Të gjithë trajnerët ndihen paksa të vetmuar në punën që bëjnë. E respektoj jashtëzakonisht çfarë Zidan ka bërë dhe vendimin e tij”.

A do ishte gati për një sfidë te Reali? Poçetino përgjigjet: “Unë jam gati të ha drekë me miqtë e mi. Jam gati dhe i gëzuar që do të kthehem në Londër. Projekti ynë është shumë tërheqës. E kuptoj që zërat e merkatos nuk mbarojnë kurrë, por kështu e ka puna jonë, ky është sporti që kemi zgjedhur. Firmosa para 10 ditësh, nuk e di ç’do të ndodhë të nesërmen. Futbolli është futboll, gjithnjë e gjen vendin që të takon, rëndësi ka ta shijosh, ditë pas dite, sepse jeta është shumë e shkurtër. Reali nuk refuzohet? Për ju nuk refuzohet, kështu mendoni ju gazetarët. Por ju nuk jeni unë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *