Mbrojtësi i talentuar Kristi Qose është transferuar te Ruzhomberoku, duke qëndruar në Sllovaki. Sezonin e fundit Qose ishte i huazuar te Zemplini nga Paoku, së bashku me sulmuesin Kristian Kushta.
Të dy patën një rendiment mjaft të mirë, sepse Qose luajti 25 nga 30 ndeshjet e kampionatit, duke u paraqitur në nivel të lartë, por edhe 19-vjeçari Kushta shkëlqeu, duke luajtur në 30 ndeshje e duke shënuar 9 gola mes kampionatit e kupës.
Tani Qose “gradohet”, sepse kalon te një klub me emër si Ruzhomberoku, që do të luajë në Europa League këtë sezon.
Nuk dihet ende formula e transferimit, por zor se PAOK e shet talentin e Shqipërisë U-21, ndërsa Kushta me siguri do të kthehet në Selanik, para se të vendoset për të ardhmen e tij.