Nurudin Orelesi bëhet futbollisti i parë i huaj që firmos këtë sezon për Vllazninë, një emër i rëndësishëm, që në Shqipëri ka fituar shumë dhe që konsiderohet ndër të huajt më cilësorë që kanë shkelur ndonjëherë në Superiore.
Tani mesfushori bëhet shkodran, një lëvizje rrufe nga Vllaznia, që e ka prezantuar sot ish-futbollistin e Skënderbeut, i cili me sa duket tani e tutje do të luajë në qendër të mbrojtjes, edhe pse roli i tij është mesfushor qendror.
“Kam luajtur për një kohë të gjatë kundër Vllaznisë, me njoh këtë skuadër. Kur më bënë ofertë, nuk u mendova gjatë dhe pranova. Në skuadrat e mëparshme kam luajtur si mesfushor difensiv apo si mbrojtës qendre. Këtu erdha për të luajtur në mbrojtje dhe kjo nuk përbën një problem për mua”, deklaroi sot nigeriani 28-vjeçar, i cili ka shumë eksperiencë brenda e jashtë Shqipërisë dhe nuk e premton me premtime, por është i bindur se do të jetë një Vllazni më e fortë se vitet e fundit: “Më treguan për kualitetet që dëshirojnë të afrojnë për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe shpresoj që ky të jetë një vit më i mirë se ata të mëparshmit. Megjithatë, nuk mund të premtoj asgjë. Nuk më pëlqen të bëj premtime, por natyrisht që kam dëshirë që ta ndihmojë ekipin të bëjë paraqitje sa më të mira. Nuk erdha te Vllaznia që skuadra të pësojë rënie në lojë dhe në paraqitje, por që të ketë rritje. Gjithsesi, llogaritë do t’i bëjmë në fund të sezonit.”