Presidenti i Kamzës vlerëson ekipin për ecurinë e deritanishme, por ka merakun se në vazhdim të kampionatit do të ndikojnë faktorët e jashtëm
Jurgen Zela
“Vendi i dytë pas 13 javësh? As nuk e kisha menduar para se të niste kampionati. Nuk e mendoja kurrë se pas kaq shumë ndeshjesh Kamza do të ishte para Partizanit apo ndonjë ekipi tjetër që pretendon titullin”, – thotë me sinqeritet në një prononcim për “Sport Ekspres” presidenti i Kamzës, Naim Qarri. Ai në fakt ka pak besim se Kamza do ta mbajë këtë vend deri në fund të kampionatit apo edhe që ajo do të luajë në Kupat e Europës verën e ardhshme. Jo se nuk ka besim te skuadra e tij, pasi atë e vlerëson maksimalisht, por u druhet atyre, që ai i quan bërryla apo faktorë të jashtëm: “Të them të drejtën, kam pak besim se do të jemi në vend të dytë të renditjes dhe se do të luajmë në Kupat e Europës. Kemi një skuadër vërtet të mirë, nuk e mohoj, përkundrazi, e vlerësoj, por dihet rreziku në vazhdim të kampionatit, kur të fillojnë bërrylat apo gjëra të tjera të futbollit tonë. Uroj me gjithë shpirt që Kamza të jetë në vendet e para deri në fund të kampionatit, por e di mirë se çfarë ndodh dhe kam frikë se do të biem në klasifikim. Objektivi ynë parësor është të sigurojmë sa më parë pikët e mbijetesës, pastaj të shohim se deri ku do të shkojmë. Le t’ia lëmë më mirë kohës, të mos flasim që tani për Europën”, – ka vazhduar më tej presidenti i Kamzës, skuadrës që tashmë nuk mund të konsiderohet më surprizë e kampionatit.
PUNA – Rezultatet e Kamzës, skuadrës që vjen nga Kategoria e Parë, nuk janë të rastësishme. Ajo ka një grup solid lojtarësh dhe në këto 13 javë e ka treguar veten edhe në fusha të vështira, madje është e vetmja që i ka marrë pikë edhe Skënderbeut edhe në Korçë. Së fundi ka fituar në Durrës ndaj Teutës, por të njëjtën gjë ka bërë edhe në transferta të tjera shumë të vështira, në Gjirokastër dhe Laç. Për këto arritje, presidenti Naim Qarri mendon se vijnë thjesht dhe vetëm nga puna e madhe që është bërë që në verë për ndërtimin e Kamzës së Superligës: “Kemi punuar shumë gjatë verës me trajnerin Ramadan Ndreu, i cili është një trajner me shumë përvojë në futbollin shqiptar. Kemi punuar deri në 8 orë në ditë me të për ndërtimin e një skuadre sa më të fortë. Do të thosha se kemi pasur edhe fat në merkaton që kemi bërë, duke marrë lojtarë me shumë cilësi dhe përvojë, të cilët po e tregojnë veten deri tani me rezultatet që ka arritur skuadra. Uroj të vazhdojmë kështu dhe kjo ecuri pozitive të jetë sa më e gjatë”, – thekson kreu i klubit nga Kamza.
MERKATO – Presidenti Naim Qarri ka folur më tej edhe në lidhje me ndonjë lëvizje të mundshme të lojtarëve të Kamzës gjatë merkatos së dimrit: “Nuk di që në këtë moment të ketë diçka konkrete sa i takon merkatos, lojtarëve tanë. Ka vetëm fjalë, siç është rasti i mbrojtësit kroat Fushtar. Nëse vjen një ofertë e mirë financiare për të dhe ndonjë lojtar tjetër, sigurisht që do ta marrim në konsideratë. Patjetër, ku ta gjejmë që të shesim lojtarë, por ka kohë deri në merkaton e dimrit. Kemi edhe shumë ndeshje për të luajtur dhe shpresoj të kemi këtë ritëm dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë”, – është shprehur Mziu.
Kapiteni Plaku dhe sulmuesi serb Raçiç po udhëheqin Kamzën në këtë kampionat, por duhet theksuar se skuadra e drejtuar nga trajneri është në përgjithësi shumë e fortë. Edhe mbrojtja apo mesfusha janë në nivelin e duhur.