Ndonëse e premte, një pjesë e legjionarëve kanë zbritur në fushë që sot, saktësisht Sokol Cikalleshi, Myrto Uzuni dhe Kamer Qaka. Vetëm ky i fundit ka mundur që të marrë fitoren, ndërsa dy sulmuesit janë ndalur në barazim.
Për 90 minuta ishte në fushë Myrto Uzuni në barazimin e Lokomotivës së Zagrebit ndaj Goricës, në shifrat 2-2. Beratasi bëri një paraqitje të mirë, por pa mundur që të kontribuojë në suksesin e skuadrës së tij, që tani ndodhet në vendin e katërt me 31 pikë. Në fushë ishte edhe Lirim Kastrati, i cili la fushën në minutën e 84-ët.
Edhe Sokol Cikalleshi është aktivizuar në ndeshjen mes Gëztepes dhe Bursasporit, që përfundoi me rrjeta të paprekura, në shifrat 0-0. Kavajasi zbriti në fushë në minutën e 83-të, por pa lënë shenjë në këtë takim.
I vetmi që ka gëzuar me skuadrën e tij ka qenë Kamer Qaka. Poli Iashi ka arritur një sukses të thellë në transfertë ndaj ekipit të Konkordias në shifrat 3-6. Mesfushori nuk ka qenë protagonist në asnjë prej golave të skuadrës së tij, por kjo fitore e dërgon Iashin në kuotën e 27 pikëve, po aq sa dhe vendi i gjashtë.