Reali ka nevojë për një goditje shumë të madhe këtë verë, për të mbushur boshllëkun e frikshëm krijuar nga largimi i Kristiano Ronaldos. Ëndrra është Nejmar, por nëse nuk vjen ai, edhe Mbape e Hazard do ishin ngushëllim perfekt.
Ditën e djeshme u publikua në Brazil lajmi se Reali ka dërguar një nga të besuarit e vet për të nisur bisedimet me babain-agjent të Nejmarit, por nuk do të jetë e lehtë të bisedohet me PSG-në.
Klubi francez është më i pasur se Reali dhe e ka gati kundërpërgjigjen sipas AS, sepse paga aktuale prej 37 milionë eurosh neto mund të rritet, duke shkuar deri në 50 milionë, me Nejmarin që do të bëhej mbreti i botës.
Nejmar ka kontratë deri në vitin 2022 dhe i kushtoi PSG-së 222 milionë euro, ndaj shpresa e vetme e Realit është që vetë Nejmari të kërkojë largimin nga Franca. Nëse nuk realizohet dot ky transferim, Reali do të hidhet në sulm për talentin Kilian Mbape, duke përfituar nga fakti që PSG është që tani 400 milionë euro minus dhe verën e ardhshme do të jetë në telashe të mëdha me UEFA-n.