Nejmar Zhunior dhe e ardhmja e tij janë një enigmë e plotë, teksa braziliani është i dyzuar nëse do të vijojë të jetë pjesë e PSG apo do të rikthehet te Barça që e pret me krahët hapur.
Problemi i vetëm është nëse do të gjendet një marrëveshje mes dy klubeve, por fillimisht duhet të kuptohet dëshira e lojtarit. Të shumta kanë qenë spekulimet se Nejmar nuk ka aspak raporte të mira me drejtuesit dhe trajnerin e PSG.
Gjithsesi, ardhja e Leonardos si drejtor sportiv, duket se ka ndryshuar shumë gjëra dhe ylli i sulmit mund ta rimendojë të ardhmen e tij. Lidhur me këtë situatë, ka reaguar së fundmi edhe trajneri i Kombëtares, Tite.
Numri një i stolit të Brazilit është pyetur për sa i përket të ardhmes së Nejmar dhe ai ka folur hapur, duke thënë se është diçka shumë e thjeshtë për t’u zgjidhur. “Njeriu shkon atje ku ndihet i lumtur“, ishte përgjigja e shkurtër dhe e qartë e Tites.