Albi Doka është përshtatur mjaft mirë me kampionatin hungarez, ku mban veshur fanellën e Budapest Honvedit. Ish-lojtari i Tiranës la Kroacinë për Hungarinë me shpresën për të siguruar një ekip në një ligë më të fortë europiane. Uzuni dhe Ramadani janë dy shembujt më të freskët që Doka ndjek si model. Në një intervistë për emisionin “Analizë Kuq e Zi“ në “Supersport“, mbrojtësi i krahut ka folur me më shumë detaje për planet e së ardhmes si dhe për Kombëtaren kuqezi.
“Jam përshtatur shumë mirë, erdha në Hungari për një nivel më të lartë. Dua të luaj mirë, të bëj një sezon më të mirë, dhe, pse jo, të transferohem në një skuadër më të fortë. Honvedi është skuadra e dytë me më shumë tituj pas Ferencvarosit. Objektivi ynë është kualifikimi në Europa League. Kampionat i çuditshëm, me dy fitore ngjitesh lart, me dy humbje shkon në fund, pak a shumë si në Superiore. Hungaria trampolinë? Po, unë për këtë shkak erdha. Pse të mos bëj si Uzuni dhe Ramadani: të transferohem në një kampionat më të mirë.
Ndjesia më e mirë që mund të ketë një futbollist është aktivizimi me Kombëtaren, është ëndërr e të gjithëve. Më vjen mirë që Reja u dha mundësi lojtarëve të Superiores në miqësoren e fundit. Zemra nuk ndryshon kurrë, unë jam tifoz bardheblu. Ndjek Tiranën sa herë kam mundësi. Ekipet janë aty aty, kampionati nuk është aq i fortë, por kanë bërë mirë ekipe si Erzeni dhe Egnatia.
Kampionati kroat apo hungarez më i fortë? Në Kroaci kampionati është më fizik dhe më i fortë. Në Hungari ka shumë hapësira, është kampionat më i lehtë. Kemi edhe një miqësore me datë 9, atë ndaj Katarit, por nuk do të jem, pasi nuk më lejon klubi”, ka deklaruar Albi Doka./Halit Delibahi-Sport Ekspres/