Nga Gerti Carcani
Dialog është fjala më e artikuluar së fundmi kryesisht nga shteti për valën e madhe te pakënaqësisë në këtë vend që kërkon dyert e Europës me cdo kusht. Por, meqë po serviret me shumë pasion ftesa për dialog, bëjmë pak dialog në vetën e parë, përballë murit të madh të errësirës mbi paranë publike në sport. Zgjimin e kemi konstant cdo mëngjes me videon ulëritëse dhe përsëritëse të kryeministrit për dialog, shtuar këtu edhe portalin e fundit. Por, rrimë pak te sporti.
Pasi lëvizi “kalin” në “c2” dhe u shfaq në një event sportiv shahu, dhe pasi e përcolli futbollin dhe sportin për sponsorizimin me premtimin në heshtje: “mos e rruani se do bëhet”, tashmë në anën tjetër natyrisht që sporti ka disa anekse të tjera ku transparenca ka vdekur e ku mbase abuzimi është për medalje ari. E meqë erdhëm te medaljet, së fundmi, jo pak sportistë-studentë elitarë që kanë arritur të fitojnë medalje në kompeticionet ndërkombëtare, e ku natyrisht shteti ia njeh të drejtën me ligj tu japë shpërblimet e djersës së arritur, këta sportistë-studentë kanë përfunduar në gjykatë për shpërblime të padhëna të vitit 2025, e një pjesë, edhe të vitit 2026. Ka ligj, ka VKM, por ka edhe ministri që ua ndalon këto lekë se e shohin veten sipër ligjit, se nuk besoj se kanë këllqe, edhe mbi Ramën.
Në kushtet kur ka 2.2 mln euro për padelin, kur jepen 170 milionë para publike për një event universitar ndërkombëtar që akumuloi edhe vetë me shume se 700k euro nga sportistët e huaj, prej vitesh u mbahen paratë e shpërblimeve që shteti ka vendour ti japë studentëve-sportistë medalierë në disa sporte. Kanë marrë medajet që në 2025, ministri Gonxhe nuk i jep lekët, dhe kanë përfunduar në gjykatë. Nuk kam nga ta di se cfarë spjegimi i ka dhënë zv.ministri i sporteve apo drejtuesi kryesor i projektit 1.1 mln euro “durres football academy”, vetë ministrit për këtë mbajtje të lekëve për studentët, por tu mbash djersën se kështu dua unë, ose smë do mua ajo “gjëja” është një mashtrim i pabesë ku shteti ia fut shtetit, dhe në fund gropos sportistin që ka marrë medalje.
170 milionë para publike i dha zv.ministri sportit universitar, një eventi që prodhoi lekë vetë, punë tjetër ku shkuan mbi 700 mijë euro komisione të huaja për cdo pjesëmarrës.
Disa studentë e sportistë kanë përfunduar prej kohësh dyerve të gjykatave për shkakun se kanë marrë medalje, dhe shteti nuk do ti japë lekët që vetë shteti ka vendosur tu japë.
Mund të ketë edhe probleme administrative insitucionale që janë kycur në errësirën e mos-transparencës dhe që frenojnë mosdhënien e këtyre lekëve të një djerse medaljeje ndërkombëtar. Dhe ministri Gonxhe këtu duhet t’i shkulë dhëmbët zv.ministrit të tij se përse e ka futur në këtë lojë, ku paratë publike u mbahen studentëve sportistë, që shteti, ligji dhe VKM ua lejon ti marrin.
E në fund disa pyetje që duhet të kenë vëmendjen absolute të shtetit, dhe direkt ministrit të linjës, z.Gonxhe:
1. A është në dijeni kryeministri i vendit për mosdhënien e parave të medaljeve për disa studentë-sportistë medalierë që nga viti i kaluar?
2. Pse z.ministër, studentët-sportistë duhet të përfundojnë gjykatave për disa para që u takojnë ti marrin?
3. Pse ministria ua mban këto lekë? Nuk ka fonde, apo ka përplasje administrative?
4. A keni rënë ju zoti ministër në grackën e vartësve tuaj që këta studentë-sportistë nuk po marrin lekët e shpërblimeve dhe janë dyerve të gjykatave?
5. Përtej përplasjeve administrative, pse një medalje e certifikuar ndërkombëtarisht nuk i paguhet studentit-sportist fitues?
6. Pse nuk zbatohet VKM për shpërblimet medaliere?
7. A keni informacion shterrues nga vartësit dhe pse i degdisni studentët-sportistë në gjykata, për lekët që u takojnë me ligj?
8. Pse jeni jo-transparentë me këtë shtresë sporti, dhe pse nuk ka një zgjidhje për ta, kur ligji ua njeh këtë të drejtë?
9. Nëse nuk ka para shteti, atëherë pse nuk negociioni që këta sportistë të mos shkojnë gjykatave?
10. A është e vërtetë zoti ministër që qarkullojnë fjalë që disa federatave u është kërkuar nga vartesit tuaj komision mbrapsht në këmbim të rritjes së buxhetit vjetor,meqë jemi në kohë buxhetesh, me sistemin: do ta rris kaq, do më kthesh aq?
11. Mos ndoshta edhe këto para të medaljeve mbahen pikërisht nga ky mekanizëm frenues i mësipërm?11. Për më shumë transparencë për studentët sportistë mos nevojitet z.ministër një audit i thellë ministror për të gjithë këto para publike që jepen dhe nuk jepen?
12. A ka, dhe a do të ketë një angazhim personal tuajin që këto para studentët- sportistë medalierë ti marrin?
13. Kur ministria juaj jep 170 milionë për një event universitar, 2.2 mln euro për padel etj etj, pse nuk jep asnjë cent për lojërat olimpike dhe grumbullimet e sportistëve, në një kohë kur së fundmi vetëm MALI I ZI, me një VKM akordoi për ekipin e tyre olimpik dhe komitetin olimpik malazez, plot 8 mln euro buxhet shtesë??
14. A është momenti zoti ministër që faturën e taksirateve të mos e mbani vetëm ju, por të kërkoni një audit të thellë, se përsë sportistët duhet të enden gjykatave se nuk i do trapi ministrisë të japë lekët e tyre, ato lekë që Edi Rama ua ka sanksionuar me ligj?
15. Meqë jemi në kohë buxhetesh zoti ministër, a mund të na thotë dikush se federatat sportive do të kenë rritje për 2027, apo do rrinë aq?
Për sponsorizimin boll kam pyetur dhe është pyetur. Nuk është se do ndalet si diskurs.
Por komplimente: Edhe këtë radhë futbollin dhe sportin e përcollët me stil, pa datë e afat, por me buzëqeshje dhe gishtin diku….mirë ua bëni në fund të fundit.