Çmenduri në Gjermani! Shqiptari Tim Civeja shënon një supergol nga gjysmëfusha

Një gol i jashtëzakonshëm që meriton të shihet disa herë! Tim Civeja ka dhuruar spektakël në përballjen mes Bochum dhe Karlsruher, duke realizuar një nga golat më të bukur të sezonit në futbollin gjerman.

Mesfushori shqiptar ka befasuar të gjithë në minutën e 50-të, kur ka vënë re portierin e Bochum, Timo Horn, shumë larg vijës së portës. Civeja nuk është menduar dy herë dhe ka provuar nga gjysmëfusha, duke dërguar topin në rrjetë me një goditje fantastike nga rreth 51.6 metra. Një realizim spektakolar, që la të shtangur portierin kundërshtar dhe i dha avantazhin 2-1 Karlsruher në transfertë.

Megjithatë, festa e skuadrës mike nuk zgjati shumë, pasi Bochum reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin. Në fund, vendasit arritën të fitonin 3-2 falë një goli të Philipp Hofmann në minutën e 90+2-të. Pavarësisht humbjes së Karlsruher, mbrëmja do të mbahet mend për realizimin fantastik të Civejas, i cili me këtë goditje nga distanca ka bërë xhiron e futbollit gjerman. /Sport Ekspres/