Pse çështja “Hasi” është një idiotësi

Baneri i tifozëve të Olimpiakosit që i kujtonin trajnerit të tyre, Besnik hasi, e Kosova është serbi – jo vetëm që nuk duhet marrë seriozisht – por as nuk duhet të konsiderohet si i tillë e ca më shumë të përjetohet si një ide fikse e një turme që në të ftohtë as nuk e mendon e as nuk tregon mungesë respekti ndaj shqiptarëve në përgjithësi e shqiptarëve të Olimpiakosit në veçanti.

Në tribunën ku qëndrojnë tifozët e Olimpiakosit gjenden shumë shqiptarë, disa prej tyre aktivë në tifo grupin kryesor. Ndërkohë që është e pashmangshme të gjerbësh një ‘frappe’ në Athinë dhe pasi të kesh takuar 1 në 2 vetë shqiptarin e radhës, të mos konstatosh me buzën në gaz se shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj kanë një dashuri të madhe për futbollin e Olimpiakosit. Tek-tuk gjen ndonjë me Panathinakosin apo AEK-ut. Nëse këtij diskutimi i shton dhe faktin që jo vetëm trajneri është shqiptar – madje në të shkuarën kapiten i Shqipërisë – por dhe dy nga lojtarët kryesorë në skuadër janë gjithashtu shqiptarë. Prindërit e portierit Kapinos kanë emigruar nga Shqipëri në fillimin e viteve 90’ dhe ai që sot konsiderohet ndër portierët më të mirë që ka pasur Greqia ka një lidhje të pashmangshme me simbolin kuqezi. I njëjti diskutim vlen dhe për Pajtim Kasamin, mesfushorin që luan me Zvicrën, një shqiptar që në Karaiskaqi ka arritur e ka guxuar të bëjë dhe shqiponjën pas një goli të rëndësishëm në Champions.

Komplimentit në këtë rast i takojnë klubit të Olimpiakosit. Vendimet e tyre jo vetëm kanë doza profesionale, por aspak të nxitur nga dritë shkurtësia nacionaliste që, për hir të së vërtetës, nuk ka mbërthyer vetëm Greqinë, por në përgjithësi gjithë Ballkanin. Nuk ka asnjë diskutim që në Greqi e sidomos në Serbi fryma kolektive kundër simbolit shqiptar mund të jetë e theksuar, por në futboll kjo ngjan gjithnjë e më shumë një budallallëk.

Kësaj idiotësie në të shkuarën fatkeqësisht nuk i ka shpëtuar as skena shqiptare. Në një derbi Tirana-Partizani në dhjetor të vitit 2015 stadiumi nxinte nga thirrjet kundër serbëve – një lloj hakmarrjeje për atë që ndodhi në natën e Beogradit – por ndërkohë zëvendëstrajneri i Tiranës, Gvozdenoviç ishte serb, dhe po serb ishte dhe Raçiç, sulmuesi kryesor i Partizanit.

Nëse qëndron mes turmave të Ballkanit, të betohen se nuk kanë asgjë personale me askënd. Kapinos, Kasami, Hasi, Gvozdenoviç, Raçiç, apo çdokush tjetër jeton i lumtur dhe në paqe në rrugët e Athinës, Tiranës apo Beogradit. Fatkeqësia dhe idiotësia qëndron që atje në turmë e sipër logjika ngatërrohet dhe kushedi pse këto thirrjet nacionaliste me karakter ballkanas vazhdojnë e mbizotërojnë e madje janë ende një modë.

Nuk ka asgjë për tu shqetësuar, pavarësisht se një banderolë e tillë bën gjithnjë një lajm, ashtu sikundër për serbët bën lajm “mbyte Beogradin”. Nëse ngrihemi pak nga emocionet e së shkuarës apo lëmë disi mënjanë atë çfarë na ka dhuruar e ofruar politika ndër shekuj, do kuptojnë se jemi të gjithë qytetarë të lirë të një Ballkani që fatkeqësisht është i ndezur. Për momentin nxehemi njësoj kur Kapino bën shqiponjën apo Raçiç tre gishtat.

Por, sepse ka gjithnjë një por, në të gjithë krahasimet e mundshme. Shqiptarët më së shumti janë pasoja e reagimeve. Shkaku i vërtetë është fakti që turmat e stadiumeve kryesore në Greqi dhe Serbi për fat të keq ende nuk kanë dalë mbi nxehtësinë e atyre që i orientojnë për të thërritur e klithur pa asnjë logjikë. Kushedi si ndihet një tifoz i Olimpiakosit kur pas fitores duhet të përqafojë Kapinosin, Kasamin e ca më shumë Hasin. Javën tjetër është Olimpiakos-Partizan Beograd. A do jetë lajm nëse nuk do ketë thirrje anti-shqiptare? Nuk duhen marrë seriozisht. Kur i ke përballë të thonë: asgjë personale.

Gjergji Stefa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online