Peticioni me 10 mijë firma shkon në zyrat e UEFA-s, që kthen përgjigjen se gjithçka është arkivuar dhe se do të veprohet me profesionalizëm në këtë çështje. Vendimi pas 2 muajsh
Leonard Trebicka
Kanë kaluar më shumë se dy javë nga ajo protestë qytetare, që u zhvillua në Korçë, në mbështetje të ekipit të futbollit, Skënderbeut, pas lajmit se për të kërkohet një dënim 10-vjeçar nga Kupat e Europës dhe një gjobë e majme. Më 21 shkurt, mijëra qytetarë pushtuan qendrën e qytetit, konkretisht sheshin para Katedrales, duke protestuar paqësisht në lidhje me dënimin e mundshëm, që e konsiderojnë krejtësisht të padrejtë. Atë ditë u sensibilizuan jo vetëm tifozët, por edhe personalitete të ndryshme të qytetit, që mbajtën edhe fjalime në shesh. Kanë folur në atë tubim artistë, pedagogë dhe ish-futbollistë të shquar korçarë. Fill pas asaj proteste, kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, i dërgoi një letër presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin. Më pas edhe mediet ndërkombëtare i kanë bërë jehonë protestës qytetare në qytetin e Korçës. Në atë protestë u firos edhe një peticion nga mijëra qytetarë, por çfarë ka ndodhur më pas? Kanë kaluar dy javë dhe tani “Sport Ekspres” mëson se ka të reja në këtë drejtim.
UEFA – Burime të sigurta pranë “Sport Ekspres” bëjnë me dije se pak ditë më parë, përfaqësues të protestës qytetare, kanë vënë në dijeni UEFA-n për gjithçka ndodhi në qytetin juglindor. Kjo përfaqësi ka kontaktuar me zyrat e UEFA-s me anë të postës elektronike dhe ka dërguar edhe peticionin me 10 mijë firma, të shoqëruar me kartën e identitetit përbri çdo firme. Janë dërguar foto dhe video jo vetëm nga Korça në mbështetje të Skënderbeut, por edhe nga vende të tjera. Nga zyrat e UEFA-s ka ardhur përgjigja se gjithçka është arkivuar me imtësi në organin më të madh të futbollit europian. Edhe vetë presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, mësohet është vënë në dijeni për gjithçka. Në përgjigjen e UEFA-s thuhet se në lidhje me këtë çështje do të veprohet me profesionalizëm dhe se do të ketë drejtësi. 10 mijë forma nuk janë pak, ndërkohë që kanë bërë bujë edhe protestat në mbështetje të Skënderbeut në Amerikë dhe Greqi.
VENDIMI – Por kur do të merret vendimi i UEFA-s? Kur u mësua lajmi para pak kohësh, u tha se duhen 2 deri në 4 muaj, që të merret vendimi përfundimtar. Nuk ka kaluar ende një muaj nga lajmi, ndërkohë që burime pranë gazetës bëjnë të ditur se mundësitë janë të mëdha që vendimi të merret në mesin e muajit maj. Në Korçë besojnë verbërisht se do të mbetet në fuqi ai dënim i para dy viteve, me një vit jashtë Europës. Por korçarët do të jenë në ankth të paktën edhe për dy muaj të tjera. Me mbrojtjen e Skënderbeut po merret një studio e huaj ligjore, e pajtuar nga drejtuesit e klubit korçar.
Per cfare protestoni per milionat e vjedhura nga Ardian Takaj dhe grupi mafioz.Pse dilni ju dhe beheni pjese e te keqes .Ata qe vodhen dhe mashtruan le te perballen me drejtesine.Me vjen keq per korcaret e thjeshte….
Jam dakord.Si kudo dhe ne sport korrupsioni ka kapur kampionatin.Nuk eshte miree qe te manipulohen qytetaret e thjeshte.Ku dine ata se si jane bere gjerat.Ndal trukimeve.Futboll i paster.