Dy nga lojtarët e skuadrës së Pogradecit që u “zbuluan” edicionin e shkuar kanë gjetur akordin me lezhjanët
Erjon Saliu
Besëlidhja duket se në heshtje ka nisur merkaton dhe në Lezhë nuk ka vetëm largime, por edhe afrime. Burime pranë skuadrës lezhjane, bëjnë me dije se kanë arritur akordin dy futbollistë me ngjyrë me ekipin e presidentit Gjok Noka. Fjala është për dy lojtarët nga Guinea, që fillimisht kanë ardhur në vendin tonë për llogari të skuadrës së Luzit të Kavajës në Kategorinë e Dytë, por që një vit më parë u bën pjesë e Pogradecit, ku edhe u afirmuan dhe fituan më shumë eksperiencë. Sulmuesi Musa Bangura, i cili është 24 vjeç si dhe Çeik Konti i cili është vetëm 18-vjeç dhe ka luajtur edhe me ekipet e moshave të Pogradecit.
Të dy futbollistët në fjalë, duket se pas mbarimit të sezonit të shkuar ku bën edhe një paraqitje të mirë në Pogradec, janë akomoduar në Lezhë, aty ku kanë gjetur edhe mbështetjen e presidencës lezhjane, por kanë edhe bashkatdhetarët e tyre me të cilët kanë luajtur te Luzi 2008, si: Oumar Kamara dhe Oliver Dore. Bangura e Konti, kanë gjetur akordin dhe shumë shpejt pritet që edhe të firmosin në Lezhë, duke qenë dy përforcime të goditura në radhët e Besëlidhjes e cila me sa duket edhe në sezonin e ardhshëm do të ketë pretendime madhore. Presidenti Gjok Noka, duke qenë se pjesën dërrmuese të futbollistëve i ka nën kontratë, synon që të ndërtojë një ekip me ambicie në Kategorinë e Parë, për të tentuar sërish Superioren.
TË TJERËT – Ndërkohë, lezhjanët janë në kontakte edhe me futbollistë të tjerë të cilët kanë luajtur në Superiore por edhe në Kategorinë e Parë. Megjithatë, emrat e tyre do të zbardhen sapo ata të kenë nënshkruar kontratën me skuadrën lezhjane, e cila me shumë gjasa në dyjavëshin e dytë të korrikut, do të nisë edhe përgatitjet për sezonin e ri futbollistik.