Sulmuesi i Teutës, Gerhard Progni, ishte i ftuar në emisionin “Sportnewsplus” në “News24”, ku diskutoi mbi disa tema në lidhje me Kategorinë Superiore.
TITULLI I PARTIZANIT – “Unë kam dalë nga shkolla e Partizanit, gjithsesi nuk është se nuk e kam shijuar titullin kampion, pasi e kam fituar më parë me Skënderbeun. Më behet qejfi për presidentin dhe mbi të gjitha për tifozët”.
SITUATA TE TIRANA – “Ata kanë zhvilluar dy ndeshje shumë të mira kundër nesh. Në njërën fituam me fat, ndërsa në të dytën na mundën në Durrës. Problemi më i madh i kësaj skuadre është se tregojnë shumë luhatje. Bëjnë pesë ndeshje shumë të mira dhe më pas pesë ndeshje të këqija. Ndeshja pa tifozë? Disa lojtarë nuk e përballojnë mirë presionin. Ka futbollistë që kur i shajnë tifozët e kanë mendjen tek ata dhe jo te futbolli. Siç duket te Tirana lojtarët nuk ndihen mirë nga presioni i tifozëve dhe u vendos që ajo ndeshje të luhet pa ata”.
LICENCIMET – “Besoj se federata nuk publikon licencimet për shkak se prishet gara. Nëse ndonjë ekip merr vesh që nuk përmbush kriteret atëherë mund të fillojnë tolerimet. Shpresoj që ky vit i mbushur me ekipe me probleme pagash të jetë një mësim për të ardhmen”.
TEUTA – “Jemi në një pozitë të mirë. Shpresojmë të kapim kupat e Europës, edhe sikur të renditemi të katërt. Vendi i dytë është diçka që vlen më shumë për klubin, ne lojtarëve na intereson vetëm Europa. Për të ardhmen nuk e di, s’kam folur ende me presidencën”, përfundoi Progni.