Edicioni i ri futbollistik 2022/2023 do të nisë këtë fundjavë me ndeshjet e javës së parë të kampionatit “Abissnet Superiore”, ndërkohë që Federata Shqiptare e Futbollit po bën përgatitjet e fundit për ta nisur me këmbën e mbarë këtë sezon.
Në kuadër të këtyre përgatitjeve, Departamenti i Garave në FSHF ka organizuar sot një seminar ku ka prezantuar manualin e delegatit, një dokument shumë i rëndësishëm që do t’i ndihmojë zyrtarët e ndeshjeve në lidhje me rregulloret e ndeshjeve.
Në këtë seminar shefi i Departamentit të Garave, Marjus Sulejmani prezantoi para delegatëve të “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, manualin që shpjegon në mënyrë të detajuar detyrat dhe përgjegjësitë që delegatët kanë për të organizuar në mënyrë të suksesshme këto ndeshje, duke u bazuar në rregulloret e garave të FSHF.
Manuali është konceptuar si një instrument që synon të shpjegojë dhe komentojë dispozitat që përmbajnë rregullat e FSHF-së dhe për të ofruar udhëzime mbi aspektet praktike të misionit të delegatëve dhe organizimit të ndeshjeve. Ky manual përcakton qartë të drejtat dhe detyrat e delegatit, parimet bazë, kodin e sjelljes si edhe proceset që duhen aplikuar para dhe gjatë një ndeshjeje nga zyrtari në bashkëpunim me klubet.
Gjithashtu në këtë dokument parashikohen edhe situata nga më të ndryshme në një ndeshje futbolli dhe hapat që duhen ndjekur nga delegatët duke u bazuar në rregulloren e lojës. Përdorimi i një dokumenti të tillë për zyrtarët e ndeshjeve në Shqipëri është i ngjashëm me procedurat që ndjek edhe UEFA në ndeshje ndërkombëtare dhe bëhet në kuadër të përmirësimit të aspekteve organizative të një ndeshje zyrtare.