“Probleme vetëm në 6 ndeshje”, flet drejtori i projektit në FSHF: VAR ka qenë shumë positiv në Shqipëri, ishte viti i parë

0

Drejtuesi i projektit VAR në Federatën Shqiptare të Futbollit, Lysien Nurishmi, në një prononcim për FSHF.ORG, ka analizuar vitin e parë të implementimit të këtij sistemi në kampionatin “Abissnet Superiore”.Nurishmi ka vlerësuar në kompleksitet vitin e parë të sistemit VAR (Video Assistent Referee) në Shqipëri dhe është ndalur te problematikat e evidentuara.

“Nëse e shikojmë në total të gjithë vitin e sistemit VAR në Superiore dhe Kupën e Shqipërisë, me një total prej 196 ndeshjesh, vlerësimi është shumë pozitiv. Duhet të mos harrojmë edhe faktin se ishte viti i parë, një eksperiencë e re dhe përballeshim me shumë të panjohura. Kemi evidentuar edhe problematika, ku në 6 ndeshje nuk kemi arritur ta implementojmë për shkak të problematikave teknike dhe ato të lidhura me infrastrukturën e stadiumeve, pa harruar këtu mungesën e eksperiencës”, – shpjegon drejtuesi i projektit VAR në FSHF.

“Do mundohemi që këtë sezon të ri 2022-2023 të mos përsëriten problematikat e evidentuara vitin e kaluar. Teknikët që bëjnë implementimin këtë vit kanë një eksperiencë më të madhe, e cila sigurisht është shumë e rëndësishme. Në të njëjtën kohë do të zhvillojmë edhe trajnime me operatorët që të jemi gati për sezonin e ri. Kemi filluar gjithashtu inspektimi në të gjitha stadiumet dhe janë lënë detyra për përmirësimin e infrastrukturës. Kam shumë besim që ky sezon për arsyet e sipërpërmendura do të jetë shumë herë më pozitiv në krahasim me edicionin e parë për shkak të eksperiencës dhe kushteve më të mira”, – nënvizoi Nurishmi.

Sistemi VAR është një nga projektet dhe investimet më të mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit, që në këtë sezon debutues ka sjellë padyshim rritjen e cilësisë dhe besueshmërisë në futbollin shqiptar, duke minimizuar edhe gabimet e gjyqtarëve. Fazës së implementimit i ka paraprirë një punë e madhe përgatitore që konsistonte në trajnime të shumta me ekspertë të FIFA-s, ku është shpjeguar përdorimi i teknologjisë, janë dhënë informacione mbi mënyrat e përdorimit të aparaturave për të gjithë stafin teknik dhe atë të arbitrave, si edhe arbitrat janë trajnuar vazhdimisht ër rregulloren e ndërhyrjes së këtij sistemi gjatë një ndeshjeje.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.