Vllaznia kërkon të pestën fitore radhazi. Përballë do të ketë Veleçikun e Koplikut fqinj. Një derbi, që sigurisht shkodranët e kanë detyrim ta fitojnë. E thotë edhe trajneri Hasan Lika, i cili ka dalë para mediave si zakonisht.
“Kërkojmë të fitojmë çdo ndeshje dhe të vazhdojmë ecurinë e rezultateve pozitive. Kemi disa dëmtime, por kemi një grup futbollistësh që janë të aftë të japin maksimumin, si ato të formacionit titullar, ashtu edhe të stolit”, është shprehur trajneri kryeqytetas.
Kjo situatë për Vllazninë nuk është normale, pasi në Shkodër në të shkuarën janë mësuar ta shohin ekipin e zemrës duke luftuar për trofe. Kishte vite që kuqeblutë ishin në krizë dhe tanimë janë në Kategorinë e Parë.
Lika, në lidhje me situatën dhe përballjen me Veleçikun, u shpreh: “Kohët kanë ndryshuar dhe nuk na vjen mirë që jemi në këto pozita, por na duhet të mbledhim forcat për t’i përballuar me sukses edhe ëndrrat. Kjo sfidë ka aromën e derbit, pasi jemi afër, jemi komshinj. Kemi bërë një ndeshje miqësore dhe e kemi parë forcën e Veleçikut. Është skuadër e fortë dhe me një grup të mirë lojtarësh”.
Ai që po spikat më së shumti te shkodranët është sulmuesi brazilian Zhunior. Fjalët të mira për të nga trajner Lika: “Mendoj se Junior ka për detyrë të luajë mirë dhe të shënojë. Skuadra punon për sulmuesin. Ne kemi një sulmues që është i aftë ta krijojë golin, por në shumë raste e ka ndihmuar edhe skuadra”.