Pak orë më parë në mediat kosovare, u përhap lajmi se Prishtina ishte në kontakt me teknikun vlonjat Gentian Mezani. Nuk është dashur shumë kohë dhe menjëherë ka ardhur reagimi nga ana e klubit nga kryeqyteti i Kosovës, që përmes një prononcimi të presidentit Remzi Ejupi ka përgënjeshtruar këtë lajm.
Përmes të njëjtës deklaratë Prishtina thekson se Mirel Josa ka nënshkruar për një periudhë 3-vjeccare dhe se do të respektohet kontrata. Jo vetëm kaq, por Ejupi shprehet se nuk e njeh fare ish-trajnerin e Flamurtarit dhe të Laçit. Më poshtë do të gjeni dhe postimin e plotë të Prishtinës.
Tifozeria e Prishtinës ka dalë kundër teknikut nga Tirana megjithatë numri 1 i klubit të Prishtinës thekson se duhet durim dhe se ka besim të plotë tek ish-trajneri i Tiranës dhe Skënderbeut. Po ashtu Ejupi shton se këto janë sulme para ndeshjes së radhës. Rezultate te Prishtinës në këtë fillim edicioni nuk kanë qenë të shkëlqyera dhe dy barazimet e fundit i kanë trazuar ujërat.
POSTIMI I KLUBIT TË PRISHTINËS
“Prishtina nuk i ndërron trajnerët çdo tre javë as për qejf të askujt”
Prishtinë, 18 shtator 2018 – Kryetari i FC Prishtina ka reaguar menjëherë sa ka parë shkrimet e të ashtuquajturave portale rreth bisedave për trajner të ri të Prishtinës.
“Nuk e njoh dhe as që jam takuar me personin në fjalë që paskan aluduar portalet, Gentian Mezanin. Në fakt, tash pse unë njoh shumë njerëz të sportit dhe jam i rrethuar me ta nuk ka asnjë domethënie. Takohem me shumë kë me të cilët kam miqësi, por edhe me të tjerë që mund të jenë afër tyre dhe kjo nuk do të thotë asgjë. Ne kemi kryetrajner, ai është Mirel Josa me të cilin kemi kontratë trevjeçare. Prishtina nuk është klub lagjesh që t’i ndërroj trajnerët çdo tre-katër javë apo për qefin e dikujt. Me Josen kemi projekt. Josa nuk ka ardhur të dëshmohet në Prishtinë. Ai është dëshmuar shumë më herët para nesh. Ai ka dëshmuar me sukseset në Shqipëri e sidomos me paraqitjet në Evropë. Ai ka ardhur që krejt atë bagazh të përvojës së tij të sjellë tek ne”, ka thënë Ejupi.
“Po ashtu i mirëkuptojmë brengat dhe njëkohësisht dëshirat e adhurueseve tanë e veçmas “Plisave” për fitore me të cilët jemi në një rrugë dhe e duam suksesin së bashku, por ju lusim të na mirëkuptoni dhe të na besoni, të keni pak durim, sepse gjithçka do të vije në vendin e vetë, sepse jemi në rrugën e duhur dhe të drejtë. Josa ka kontratë tre vjeçare me ne, sikurse ne që i besojmë, duam që edhe ju të e mbështesni atë dhe klubin maksimalisht. Vetëm të bashkuar do t’ia dalim”, ka bërë apel kryetari Ejupi.
“Këto shkrime i shoh si sulme për të na dekoncentruar para ndeshjes së nesërme me Gjilanin. Por nuk do t’ia arrijnë asnjë prej këtyre portaleve nga Kosova apo Shqipëria. Nuk do të bëjmë gabime të tilla siç ndoshta kemi vepruar viteve të fundit. Ftojmë që mos t’iu besoni thashethemeve dashakëqij e të qëllimshme, sidomos të disa të ashtuquajturave portale nga Kosova”, ka përfunduar në reagimin e tij, kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi.