Presidenti Duka uron 90 vjetorin e FSHF-së, kujton të shkuarën dhe tregon planet e së ardhmes: Do inagurojmë dy muzeume

Sot është një ditë e shënuar për Federatën Shqiptare të Futbollit, pasi përkon me 90 vjetorin e krijimit të saj. Një vit i veçantë ky, ku nuk mund të mungonte edhe një urim nga kreu i FSHF-së, Armand Duka. Ky i fundit ka uruar të gjithë komunitetin e futbollit dhe ata që e dashurojnë këtë sport, ndërsa shpreh dëshirën se do të donte të festonte ndryshe këtë ditë, por pandemia e ka kushtëzuar diçka të tillë.

Presidenti Duka ka hedhur sytë pas në historinë 90-vjeçare të Federatës dhe kujton arritjet e bëra ndër vite. Padyshim që futbolli shqiptar ka pësuar ndryshime me kalimin e kohës, aq sa tifozët kanë përjetuar edhe emocione që më parë nuk e kanë pasur mundësinë t’i shijojnë. Një dëshmi e suksesit është edhe pjesëmarrja e Kombëtares kuqezi në Euro 2016 për herë të parë në historinë e sa.

Ndërkohë Duka shprehet se përpara i presin sfida të tjera ndoshta edhe më të mëdha, ndërsa zbulon planet për të inaguruar dy muzeume ku sportdashësit mund të shohin përpara tyre aktivitetet e futbollit shqiptar ndër vite. Një prej tyre do të inagurohet në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa tjetri në stadiumin kombëtar “Air Albania”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Mesazhi i plotë i Presidentit Duka:

“Të dashur futbollistë, trajnerë dhe drejtues klubesh!
Të dashur veteranë, fëmijë që luani futboll, përfaqësues të mediave e sportdashës!

Sot është një ditë shumë e rëndësishme për futbollin shqiptar. 90 vjet më parë më 6 qershor të vitit 1930, Mbreti Zog firmosi Dekretin Mbretëror për krijimin e Federatës Sportive, nën kujdestarinë e Entit ‘Djelmënija Shqiptare’.

Unë jam shumë i lumtur sot që t’i uroj të gjithë komunitetit të futbollit në vend: Gëzuar 90-vjetorin e krijimit të Federatës Shqiptare të Futbollit!

Duhet ta kishim festuar ndryshe, por pandemia nuk na ka lejuar që të kishim një vit të tërë jubilar të 90-vjetorit të krijimit të FSHF-së. Gjatë kësaj periudhe ne kemi rikujtuar në rrjetet sociale dhe në media figura apo aktivitete të futbollit shqiptar ndër vite.

Gjatë gjithë vitit do të vazhdojmë të rikujtojmë nëpërmjet shumë aktiviteteve, sesioneve shkencore për arritjet apo për personalitetet e futbollit shqiptar. Do të inaugurojmë dy muzeume, atë në ‘Shtëpinë e Futbollit’ dhe në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’, ku do të pasqyrojmë të gjithë aktivitetin e futbollit shqiptarë ndër vite.

Jam i lumtur, që kur kthej kokën pas shoh zhvillimet e futbollit shqiptar që kanë një progres shumë të madh. Jam i lumtur për arritjet e futbollit shqiptar dhe të fubtollistëve shqiptarë ndër vite, e cila ka kulmuar me pjesëmarrjen e Shqipërisë në EURO 2016.

Por me gjithë sukseset, investimet, projektet e mëdha të bëra gjatë këtyre viteve në fubtollin shqiptar, sfidat e të ardhmes janë akoma më të mëdha. Futbolli është loja më e bukur për shqiptarët dhe për t’ju përgjigjur dëshirës së shqiptarëve na dalin akoma më shumë punë, të realizojmë më shumë objektiva, të kemi një strategji të qartë për ta çuar këtë lojë atje ku e duan të gjithë sportdashësit shqiptarë.
Edhe një herë i uroj të gjithë komunitetit të futbollit dhe të gjithë shoqërisë shqiptare gëzuar 90-vjetorin e krijimit të Federatës Shqiptare të Futbollit”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online