Laçi përgatit surprizën dhe krijon konfuzion te kundërshtarët. Në stërvitjen zyrtare përpara ndeshjes në stadiumin “Aker”, trajneri Besnik Prenga ka ndryshuar plotësisht planin e përcaktuar të punës.
Drejtuesi i stolit të kurbinasve nisi seancën e fundit përgatitore, edhe pse ishte rënë dakord që fillimisht ai do të shfaqej përpara mediave. Më pas, Prenga ndryshoi mendje edhe përsa i takon stërvitjes, pavarësisht se ishte vendosur që televizionet mund të merrnin pamje gjatë 15 minutave të para.
E vetmja mënyrë që gazetarët norvegjezë të fisnin me trajnerin ishte në fushën e lojës, menjëherë pas seancës. Një bisedë e shkurtër, ku Prenga u shfaq plot besim në shanset që ekipi i tij ka përballë Moldes.
“E kemi të qartë që luajmë përballë një kundërshtari të vështirë. Megjithatë jemi të përgatitur dhe do të zhvillojmë një ndeshje të mirë kundër Moldes. Pres të arrijmë një rezultat pozitiv”, tha drejtuesi i stolit të Laçit.