Premtimi i radhës/ Elbasani “anglez”, çështje ditësh

Është folur shumë për shitjen e aksioneve, por deri më tani nuk kishte ndodhur gjë. Garantohet se situata do ndryshojë

Fatmir Popja

Duket sikur po shkon drejt zgjidhjes ngërçi me aksionet në klubin e futbollit të Elbasanit. Ndonëse në klub nuk është se ka pasur ndonjëherë dyshime për këtë gjë, pasi kontrata për shitjen e tyre tek anglezët ishte firmosur, zvarritja pa mbarim për zyrtarizimin e tyre mbolli shumë skepticizëm në kampin verdheblu. “Sport Ekspres” mëson nga zyrtarë të klubit elbasanas se nuk ka më asnjë shans që kalimi i aksioneve në masën 100% tek anglezët të dështojë. Sipas tyre, 54% e aksioneve të Bashkisë ka kohë që janë shitur, por këto ditë po bëhet edhe kalimi te kompania “Manchester Group” e 46% që zotëroheshin nga Arben Laze. “Nuk ka asnjë nevojë për pështjellim dhe frikë, pasi çështja e aksioneve ka marrë fund dhe është punë ditësh që pronarët e rinj të zotërojnë 100% aksionet e klubit të futbollit të Elbasanit”, citoi një zyrtar i lartë në kampin verdheblu për gazetën. Ka qenë kjo arsyeja pse klubi nuk është mbledhur për të vijuar punën për sezonin e ri futbollistik, pasi anglezët kanë pritur që të mbyllin njëherë e mirë punën e aksioneve, në mënyrë që të merren më pas me skuadrën. Ndoshta gjatë javës së ardhshme çdo gjë do të ketë marrë fund dhe atëherë do të nisë edhe puna për sezonin e ri. Gjithë kjo periudhë ka qenë e mbuluar nga kaosi në kampin elbasanas, pasi askush nuk fliste në lidhje me situatën, sepse palët kanë qenë duke u marrë edhe me detajet e fundit të shitjes së aksioneve.

SEZONI I ARDHSHËM

Verdheblutë do garojnë në Kategorinë e Dytë dhe rregullorja e përcakton qartë se lejohet të luhet vetëm me futbollistë brenda qarkut, ndaj drejtuesit duhet të marrin masat për të ruajtur lojtarët kryesorë të sezonit të shkuar, pasi një pjesë e mirë e tyre po kërkojnë të gjejnë “strehë” në ekipe të Superiores apo në të Parën, pasi i kanë humbur shpresat në rindërtimin e Elbasanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *