Drejtori sportiv: Lojtarët u impenjuan, por nuk po arrijmë te goli. Duhet ta analizojmë me kujdes momentin negativ. Presioni është i madh
Zhgënjimi është i madh, por drejtori sportiv i Partizanit, Antonelo Preit, ka folur pas barazimit me Lushnjen. Ai ka dalë përballë gazetarëve duke pranuar situatën e keqe dhe momentin negativ të “demave”. Italiani e pranon se nuk ka shkopin magjik, ama nuk fajëson as lojtarët, pasi sipas tij u impenjuan në sfidën kundër Lushnjes.
– Çfarë po ndodh me këtë Partizan, nga objektivat për kampion, tani për mbijetesë?
– Situata është e keqe nisur edhe nga rezultatet dhe është e kotë ta fshehim. Nuk është momenti për të gjetur fajtorët, pasi nga ajo që lojtarët dhanë në fushën e lojës nuk mund të themi që nuk u impenjuan. Kur nuk arrin të fusësh topin në rrjetë, nuk fiton ndeshjen. Kemi probleme në këtë pikë.
– A do të ketë masa për stafin dhe lojtarët?
– Nuk mendoj se do të ketë masa, pasi lojtarët dhanë maksimumin në fushën e lojës. Mendoj se problemi ishte vetëm te mosshënimi i golit dhe mungesa e fatit.
– Problemi është teknik-taktik, apo psikologjik?
– Presioni është i madh, pasi nga një emër si Partizani pritet shumë. Pjesa tjetër duhet analizuar me më shumë kujdes se ku qëndron problemi.
– A ka presion nga presidenti pas këtyre rezultateve?
– Sigurisht presioni është i madh që nga presidenti, lojtarët, stafi teknik dhe tifozeria. Zhgënjimi është i madh, duhet të përballemi me këtë fakt dhe ta analizojmë me qetësi se përse ka ardhur kjo gjendje në ekip.
– Eksperienca italiane ende nuk ka filluar të funksionojë në Shqipëri…
– Çdo lloj eksperience që do të vijë në Shqipëri nuk ka shkopin magjik. Ne mundohemi që të japim eksperiencën tonë te Partizani.