Bajram Jashanica prej kohësh është i detyruar që të mos luajë futboll. Mbrojtësi i Skënderbeut u dënua nga UEFA, për shkak se akuzohet për përdorimin e një medikamenti të palejuar, në ndeshjen me Jang Bojsin. Asnjë tolerim për lojtarin, i cili ka veshur dhe fanellën e përfaqësueses së Kosovës, por krejt e kundërta ndodh me lojtarët e mëdhenj.
Lajmi që Serxho Ramos ka rezultuar pozitiv në testin e anti-dopingut pas finales me Juventusin ka bërë shumë bujë, aq më tepër për faktin se vetë UEFA e ka mbajtur të fshehtë, duke mos marrë masa për lojtarin e kampionëve të Europës.
Në Spanjë i kanë kushtuar shumë vëmendje kësaj pjese, duke e akuzuar UEFA-s se po përdor dy standarde. E vërteta është konkrete dhe Jashanica duhet të presë derisa të përfundojë pezullimi 2-vjeçar, ndërsa në anën tjetër është rasti i Ramos që vijon të luaj i pashqetësuar. Një rast që tregon shumë për faktin se si lojtarët e skuadrave që quhen të vogla nuk trajtohen njësoj me ata lojtarë që luajnë në nivele të larta.