Klaudio Markizio ishte një nga lojtarët simbol të Juventusit, teksa kaloi shumë vite me fanellën e bardhezinjve, por verën e këtij viti u largua në drejtim të Rusisë, për të luajtur me Zenitin e Shën Petersburgut. Në një intervistë për mediat italiane, mesfushori ka treguar për jetën e re, dhe për largimin nga Torino, duke mos shfaqur pendim për vendimin e marrë.
“Ishte një periudhë shumë intensive dhe çdo gjë ndodhi brenda një kohë të shkurtër. Gjithmonë mundohem ti mendoj gjatë vendimet e mia, që të marr vendimin e duhur. Doja të gjeja një skuadër të re, ku të luaja më shumë, kështu që e mora vendimin tim dhe nuk kam asnjë pendim, pasi jeta vazhdon. Kam akoma një dëshirë të madhe për të fituar”.
“Kisha folur me Kielinin dhe Barzalin në dhomën e zhveshjes dhe këshillat e tyre ishin mjaft të rëndësishme. Tani mendoj për të tashmen, sepse Zeniti kërkon të rikthehet kampion dhe ky është objektivi i të gjithëve. Duam të shkojmë sa më larg të jetë e mundur në Europa Ligë dhe të marrim titullin e kampionatit në Shën Petersburg”.
“Numri 10? E Zgjodha për shumë arsye, më së shumti prej Del Pieros. Ai ishte idhulli im, që në kohën kur kam qenë fëmijë dhe ai numër ishte i lirë, kështu që kur erdha zgjodha atë numër. Nuk e konsideroj veten time një 10-tësh të vërtetë, pasi kam një rol tjetër, por jam shumë i lidhur me atë numër dhe shansi ishte për ta mbajtur mbi shpinë, nuk kisha si ta humbja”, përfundoi fjalët e tij Markizio.