Myrto Uzuni është shpallur lojtari më i mirë i javës së 11-të në Kroaci, ndërkohë që mediat atje kanë shkruar pafund dhe e kanë vlerësuar beratasin. Në një shkrim të bërë se fundmi nga “Index.hr”, veçohet një fakt mjaft interesant.
Të dy shënuesit e Lokomotivës së Zagrebit ndaj Hajdukut, mund të kishin qenë pjesë e këtyre të fundit. Domagoj Drozhdek, autori i golit të parë, në vitin 2016 është testuar te skuadra kroate dhe për drejtuesit e klubit nuk i plotësonte kriteret.
Së fundmi ishte Lokomotiva që ishte më e shkathët dhe ia mori “nën hundë” Hajdukut. Këta të fundit kishin ndjekur edhe Uzunin, sikurse edhe ka raportuar “SportEkspres.com”, por skuadra nga Zagrebi sërish ishte treguar më e shpejtë.
Por për shërbimet e anësorit të blerë nga Laçi nuk ka qenë një garë dyshe. Përveç Lokomotivës dhe Hajdukut, thuhet se edhe Osijek ishte interesuar për Uzunin. Besnik Prenga, ish-trajneri i kurbinasve, pjesë e Lokomotivës, i bindi këta të fundit ta blinin beratasin.
U arrit marrëveshja për 350 mijë euro dhe tanimë që Uzuni ka arritur të luajë edhe me kombëtaren e Shqipërisë, vlera e tij është shumëfishuar. Lokomotiva nuk do të heqë dorë për qindarka nga shërbimet e Uzunit.