Shqipëria është vendi i çudirave: vendi më i zhvilluar në botë pas Gjermanisë, me njerëzit më të zgjuar në planet, racë e pastër që edhe Hitleri na e kishte zili, e shumë broçkulla të tjera që herë pas here ia ushqejmë vetes.
Për të thënë të vërtetën, jemi një popull i varfër në xhepa e në mendje, që historikisht është keqtrajtuar nga ata që në teori duhen të na qeverisin, duhet të na udhëheqin, të na tregojnë rrugën drejt zhvillimit e sjelljes si europianë të qytetëruar.
Çfarë nuk na shohin sytë në këtë Shqipërinë tonë të mjerë, ku ka më shumë pallate se familje, ku ka më shumë makina sesa njerëz, ku na vjedhin përditë, duke nisur nga qeveritë e deri te kompanitë telefonike apo cilësia e bukës që hamë.
Natyrisht, nuk bën përjashtim as policia e shtetit: një herë e një kohë i madhi Faik Konica tregonte për një mjek të cilit policët e shtetit shqiptar ia ngatërruar pluhurin për pastrimin e dhëmbëve me drogë. Bëhet fjalë për një shekull më parë, por a ka ndryshuar gjë realisht? Shihni çfarë u bën policia njerëzve në stadium, sa për të dhënë një shembull: në korrik nuk lejohet të futësh ujë në stadium, në janar nuk lejohet të futësh çadrën, gjithë vitin nuk lejohet të marrë me vete çelësat e shtëpisë apo të makinës, diku kërkon karta identiteti pa asnjë logjikë, sepse vetëm ashtu mund të kapë disa “kriminelë” që kanë bërë gjetkë zullume.
Perla e fundit vjen nga Korça: policia e Korçës ka proceduar një grup tifozësh dhe u ka dërguar gjoba prej 100.000 lekësh (të vjetra), sepse kanë hipur në rrethimin e stadiumit kur u shënua një gol (!) dhe kanë nxitur turmën për veprime të jashtëligjshme. Sa për rrethimin, çdo tifoz në botë afrohet te hekurat kur shënohet gol, ndonjë hipën sipër, ndonjë futet edhe në fushë, mjafton të kujtohet rasi kur Flamurtari i shënoi Partizanit në minutën e fundit me Bushiç, para disa javësh, me shumë fëmijë që u futën në fushë për të festuar. Edhe ata duhen gjobitur?
Për “veprime të jashtëligjshme”, mirë do ishte të specifikohej çfarë nënkuptohet: mos kanë bërtitur: “poshtë diktatura”, “ta hedhim qelbësirën”, apo kanë sharë me libër shtëpie? Jo për gjë, por këto sharjet nga motra e nëna i dëgjojmë edhe në parlament, aty dëgjojmë e shohim edhe filma porno në xhirim e sipër, apo dhunë verbale e fizike për qejf. Ah, po, “kokat” e kombit mund të bëjnë ç’të duan, ata nuk janë kurrë të jashtëligjshëm, ndërsa tifozët, që një zot e di se me çfarë prove i kanë gozhduar, duhet të paguajnë gjobë, si kjo më poshtë, ku edhe shkrimi është plot gabime: është “jashtëliqshme”, apo “jashtëligjshme”? Gjobë për injorancë!