Në ditë e fundit kemi parë shumë ngacmime në distancë të Lovren dhe Ramos, çka kanë sjellë shumë polemika. Kroacia ka një ndeshje delikate dhe trajneri Zllatko Daliç do që ta ketë skuadrën e përqendruar dhe jo që të merret me polemika jashtë fushe. Në konferencën për shtyp para takimit me anglezët, edhe Daliç ka çuar se do të ketë një bisedë me Lovren por nuk dëshiron që ta bëjë publike atë që do të diskutohet: “Do të flas me Lovren, së bashku me skuadrën, por nuk mund ta zbuloj se çfarë do të bisedohet, pasi çdo gjë që do flasim do të mbetet mes nesh”. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë masë për lojtarin e Liverpulit.
Ndeshja me Anglinë ka një rëndësi të madhe për ekipin ballkanas, pasi një fitore mund ta çojë në vendin e parë në grup, por me një humbje do të zbriste në Ligën B. Në anën tjetër një barazim pa gola do i çonte kroatët në vendin e fundit, ndërsa një barazim me gola do bënte që Anglia të zbresë poshtë tyre në renditje. Trajneri kroat e pranon se skuadra e tij është e lodhur, pasi është e vështirë që të luash ndaj Spanjës, ndaj do e kënaqte dhe një barazim në ndeshjen me skuadrën e Southgejt.
“Është hera e tretë që ndeshemi me Anglinë në pak kohë dhe skuadrat e njohin njëra-tjetrën. Do të jetë një ndeshje e fortë, por duhet ta pranoj se jemi paksa të lodhur, kjo për faktin se kemi vetëm pak kohë në dispozicion pas ndeshjes me Spanjën. Do më kënaqte dhe një barazim. Anglia ka lojtarë të rinj dhe të shpejtë”.