“Poker” firmash, Koleci është goditja

Tomori ka zyrtarizuar dje afrimin e ish-mesfushorit të Kamzës, ndërkohë ka nënshkruar edhe Drabo, Xherimeja e Buba. Bitri del në stërvitje

Edi Spahiu

Tomori po merr formën e plotë, teksa trajneri Santiliano Dule tashmë duhet të ndihet i kënaqur, pasi ka afruar në ekip edhe mesfushorin qendror që donte. Me të mësuar lajmin se Aristotel Koleci është larguar nga Kamza dhe është lojtar i lirë, drejtuesit beratas e kanë kontaktuar dhe kanë arritur akordin që në mesditë, ndërkohë që pasdite 24-vjeçari ka mbërritur në Berat dhe është vënën nën urdhrat e trajneri Dule. Pas seancës ai ka nënshkruar kontratën që e lidh me Tomorin, duke ndryshuar për herë të parë skuadrës, pasi pas pesë sezonesh u largua nga skuadra e Kamzës, ku numëron 94 ndeshje e 7 gola në kampionatin e Kategorisë së Parë. Afrimi i Kolecit cilësohet si një lëvizje e mirë e beratasve, që kanë fituar konkurrencën me disa ekipe të tjera të së Parës, duke u treguar mjaft të shpejtë.

BITRI-DRABO

Sikurse pritej, mbrojtësi Enea Bitri ka dalë në stërvitje me Tomorin, por ende nuk ka nënshkruar, pasi ditë më parë firmosi me skuadrën e Lushnjes, por me ta ka gjetur akordin për ta mbyllur që tani bashkëpunimin dhe pret vetëm lejekalimin. Me të ndodhur kjo, Bitri do të nënshkruajë kontratën e re dhe të mbetet pjesë e Tomorit edhe për një sezon. Veç tij, një tjetër futbollist ka nënshkruar dje dhe bëhet fjalë për mesfushorin e majtë Ariel Dabro, i cili është prodhim i moshave, ndërsa më pas ka luajtur me Butrintin dhe Naftëtarin, për t’u kthyer tashmë në shtëpi.

TË RINJTË

Trajneri Santiliano Dule vjet ka drejtuar skuadrën e të rinjve dhe i njeh mirë elementët që ka pasur në dispozicion te Tomori U19. Dy prej futbollistëve të atij ekipi kanë nënshkruar dje kontratat e para si profesionistë. Denis Xherimeja është njëri prej tyre dhe luan si mbrojtës i majtë. Në  miqësoren me Bylisin ai është aktivizuar në pjesën e dytë, ndërkohë që dje ai formalizoi të ardhmen e tij te Tomori, pasi nënshkroi një kontratë dyvjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Rejdi Bubën, i cili luan si sulmues. Në këtë mënyrë, ditën e djeshme janë zyrtarizuar katër afrime te Tomroti, që kërkon të renditet sezonin e ardhshëm në tre vendet e para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *