Mauricio Poçetino dhe Totenhemi i tij zhvilluan një sezon fantastik. Ata arritën për herë të parë në historinë e klubit anglez në finalen e Champions Ligës, por pa arritur te trofeu prestigjioz.
Liverpuli i Klopit shënoi dy herë dhe dërgoi kupën me veshë për herë të gjashtë në Anfield. Një humbje të cilën trajneri argjentinas nuk do e harrojë kurrë. Poçetino tregohet i sinqertë në prononcimin e dhënë për “Sky Sports News”.
“Mendoj se është normale të jesh i zhgënjyer kur nuk arrin të fitosh, gjithsesi mendoj se zhvilluam një sezon të jashtëzakonshëm. E uroj Liverpulin për fitimin e Champions Ligës, por do të mbetem gjithmonë i zhgënjyer. Duhet të mësosh nga dhimbja kur nuk je në gjendje për të fituar.
Liverpuli dhe Mançester Siti kanë sfidë për të qëndruar në nivele të larta, ndërsa ne duhet të zvogëlojmë diferencat me ta. Nuk do e kemi aspak të thjeshtë, janë skuadra të forta dhe me kualitet. Premier Liga është një kampionat shumë kompetitiv”, thekson mes të tjerash Mauricio Poçetino.