Besnik Hasi vijon karrierën e tij si trajner në Arabinë Saudite, ku drejton klubin Al Raed. Ky kalim erdhi pas disa eksperiencave në Europë, ku pati mundësinë të ishte në krye të skuadrave si Anderlekti, Legia e Varshavës apo edhe Olimpiakos. Në një intervistë për “Arena Sportive“ në “RTK“, ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi është shprehur se prejardhja e tij shqiptare e pengoi të qendronte në krye të klubit grek. Dëshira e tij për të kontribuar për vendin e tij si trajner ekziston, ndërsa nuk nguron të flasë edhe për zërat që e lidhin me stolin e Fenerbahçes.
Fenerbahçe
“Të vërteta ka shumë në këto histori, pasi tërë verën kur je në pushime ke kontakte me menaxherë të llojllojshëm. Kur je nën kontratë nuk ke të drejtë të bisedosh me klube tjera, por lontrata ime ka skaduar në maj dhe kam pasur kontakte për të ardhmen time. Në qershor më ka telefonuar një menaxher dhe më ka pyetur për stafin dhe për anën financiare. Por, që unë kam pasur kontakt me Fenerhahçcen nuk është e vërtetë. Emri im është përdorur nga disa klube gjatë kësaj vere dhe është e vërtetë që me disa klube kam kontaktuar, por fakti pse ende jam në Arabi qëndron se ajo se ose nuk ka qenë oferta konkrete ose projekti jo i qëlluar“.
Legia dhe Olimpiakos
“Legia ishte gabimi im më i madh profesional. Edhe pse e kam futur në Champions League. Prej largimit tim ata më nuk i shoh në garën elite. Po ta kisha emrin portugez do të isha ende në Olimpiakos, por ata nuk ma dhanë kohën e mjaftueshme për t’u treguar për shkak të prejardhjes sime”.
Dëshira për të ardhmen
“Dëshira ime është që popullit tim t’i ndihmoj në çdo mënyrë, ndoshta përvoja ime si trajner do t’i vijë në pah edhe vendit tim. Gjithmonë jam i gatshëm për vendin, por futbolli është i vështirë sepse nganjëherë nuk përputhen gjërat. Kur vjen oferta mund të jesh në kontratë dhe nuk mund të vendosësh vetë por vendos ai që të paguan dhe me të cilin je nën kontratë”, është shprehur Besnik Hasi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/