Dështimi i politikave fiskale, sidomos me futbollin, taksat, tatimi mbi fitimin, përkrahja e sponsorizimeve dhe rimbursimi i TVSH-së
Gjergji Stefa
Ja disa nga arsyet se përse në këto vite shoqëritë sportive në Shqipëri jo vetëm që nuk kanë përfituar pothuaj asgjë nga politikat shtetërore, por përkundrazi, financiarisht kanë qenë ndoshta vitet më të vështira.
- Taksa progresive
Nëse i referohemi formalizimit të detyruar, atëherë qartësisht rritja e taksës për punëmarrësin që përfiton më shumë se 1.5 milionë lekë të vjetra, nga 10% në 23%, krijon një kosto financiare relativisht të ndjeshme në zyrën e tatim-taksave. Shpenzimet e klubeve në këtë pikë janë rritur me 13%.
- Tatim mbi të ardhurat
Klubet e futbollit janë shoqëri private, shumica prej tyre aksionere, dhe rritja e tatimit mbi të ardhurat nga 10% në 15% kanë ndikuar në bilancin e klubeve. Sot çdo e ardhur që vjen në klub, qoftë nga shoqëritë partnere të biznesit – e sidomos të ardhurat që vijnë më së shumti nga UEFA dhe e drejta televizive, tatohet.
- Rimbursimi i TVSH-së
Klubet e futbollit e kanë shumë të vështirë që të shkarkojnë 20$ e TVSH. Nëse në çdo biznes në fund kjo TVSH shkarkohet te konsumatori, ndërkohë që në futboll këtë shifër në fund e paguan vetë subjekti. Ka pasur gjithnjë nën zë iniciativa që kjo TVSH të rimbursohet në forma të ndryshme, por asnjë nuk është bërë diçka e tillë.
- Ligji i sponsorizimit
Deri disa vite më parë kompanitë sponsorizonin klubet sportive kishin një zbritje 4% në taksat e tyre vjetore, ndërkohë që prej kohësh nuk ka absolutisht asnjë favorizim në lidhje me këtë temë.
- Të ardhurat nga kompanitë e basteve
Shqipëria mund të jetë një ndër rastet e rralla që nuk përfitohen para nga shuma që xhiron në kompanitë e basteve. Një gjë që mund të rishihej.
- Donacionet
Përveç bashkive që janë aksionere nëpër klube të caktuara – dhe këtu kontributi duhet marrë me rezerva, në si në kohë, ashtu dhe në vlerë – në përgjithësi nuk ka pasur asnjë donacion për klubet. Asnjë shpërblim për fituesit e kampionateve kombëtare apo të kupave të Shqipërisë.
- Infrastruktura
Një stadium në Elbasan, një në Shkodër dhe një tjetër kombëtar. Sigurisht që në mënyrë direkte ose indirekte duhet të përftojnë dhe klubet, por shumica e klubeve kanë nevojë imediate për fusha stërvitore, për rregullim stadiumesh të vogla, për krijimin e mundësive për sektorin e të rinjve.
- Kënaqësia
Nuk mund ta trajtosh sportin si gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë. Në fund të fundit, sporti është sektori i kënaqësisë, është një shërbim, është një aleat i shtetit që nëse kërkon që rinia të zhvillohet larg veseve, mund të gjejë përkrahje pikërisht te shteti. Nëse sporti në Shqipëri shihet si një tjetër fushë ku mund të vilen taksa për arkën e shtetit, gjithçka është e kotë, sepse nuk do të krijohet kurrë një klimë e përshtatshme për të investuar që te fëmijët e më pas të krijohen akademi dhe klube që të mendojnë të prodhojnë lojtarë për t’i shitur jashtë Shqipërie.