“Po, po kemi blerë Gurin dhe Seferin”/ Djarmati “shpërthen”, telefonatat për transferimet e shpikura

Vllaznia ka tejkaluar pritshmëritë me rezultatet e arritura deri në këtë fazë të Superiores teksa po kryeson kampionatin. Ardhja e sponsorit të ri ka sjellë frymën ndryshe në skuadër, sigurinë, ndihmën për t’u kthyer te suksesi, por njëkohësisht edhe rritjen e aludimeve mbi mundësitë reale që mund të arrihen në merkato. Mjaftoi raportimi se Vllaznia kishte interes për Bekim Balajn, për të shkuar më pas tek të gjithë sulmuesit e tjerë të Kombëtares. Por këtë barrë nuk dëshiron që të mbajë mbi shpatulla drejtori i shkodranëve, Djarmati. Pas çdo emri që lakohet në media, telefonatat dhe presioni bie mbi Djarmatin, për lojtarët që nuk ka asnjë vërtetësi për ndonjë tratativë të mundshme.

I ftuar në emisionin “Pressing” që transmetohet në “Abc News”, drejtori i Vllaznisë ka shpërthyer me ironi për të gjitha lajmet e qarkulluara në kohët e fundit dhe që nuk kanë pasur vërtetësi. “Nesër do të vijë një lojtar nga Atalanta, kemi blerë Seferin, edhe Gurin. Cordeiro? Po, ka firmosur prej tre ditësh. Klubi ka faqe zyrtare, çdo gazetar mund të më telefonojë dhe të më marrë informacion. Nuk i kam rrjetet sociale për momentin, nuk lexoj pasi më heq shpërqendrimin në punën time. Njerëzit më marrin në telefon dhe më pyesin a ka ardhur Sindrit Guri në Shkodër. Asnjë nga Vllaznia nuk e ka kontaktuar, askush prej nesh. Ka edhe një problem tjetër, një media serioze nxori lajmin që Guri kishte firmosur me ne, ndërsa (ABC) kontaktuat me të dhe ai mbeti i habitur, pasi nuk dinte gjë fare rreth kalimit te Vllaznia.

Besoj se Guri është shumë mirë atje, është në kulmin e karrierës dhe besoj se do shkojë te një klub tjetër belg. Zyrtarizimet? Jemi shumë afër zyrtarizimit të një lojtari nga jashtë. Ka luajtur në Ballkan dhe jemi në bisedime. Është sulmues krahu, kaq kam mundësi të them”, u shpreh Djarmati. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *