“Po ku po e çoni rininë?”! Fjalë zemre nga presidenti i KOKSH: Këta qofshin! Nuk është gjithçka leku, nuk ia kanë idenë sportit

Nga Klaudio Ndreca

Fjalë zemre kanë ardhur nga presidenti i KOKSH, Viron Bezhani. Ndërsa në Shqipëri janë hapur edhe lokalet, nuk ka ende një vendim për nisjen e stërvitjes nga ana e sporteve të tjera, ku nuk përfshihet futbolli, që ka nisur përgatitjet në ditën e hënë. Në një intervistë për “Fan Zone”, Bezhani ka folur qartë dhe prerë, duke nënkuptuar harresën e shtetit karshi kësaj fushe.

“Këta nuk po e kuptojnë se çfarë po bëjnë dhe nuk ia kanë konceptin sportit. Po shikoni more se ku po i dërgojnë të rinjtë! Po na ikin të gjithë jashtë. Po hajde dhe e flasim sesi ta rrisim sportin, t’i bëjmë të rinjtë që të dashurohen me Shqipërinë.

Unë e vlerësoj shumë këtë pandeminë, por kam dëgjuar shumë herë të flitet për gjithçka në parlament, vetëm asnjëherë për sportin. E kuptoj që futbolli u hap pasi ka më shumë fuqi si sport, por duhet të na hapin dhe ne. Shumë mirë që bëri për të hapur futbollin, pasi u kërkua me insistim.

I kam dërguar për herë të dytë letër instancave shtetërore për të kthyer kokën dhe nga ne. Nuk është gjithçka leku, hajde të flasim.

Duam medalje në arenat ndërkombëtare dhe atje sportistat tanë do të përfaqësojnë Shqipërinë. Po shikoni more Kosovën, shikojeni. Shikojeni mënyrën sesi po e mbështet sportin dhe shumë shpejt do të bëhen të parët në Europë. Ata dhanë edhe pagën e luftës, e vlerësojnë sportin. E në fund të fundit, Kosova nuk njihet nga të gjitha shtetet. Po si mund ta braktisësh sportin në këtë mënyrë? Këta qofshin!”, ka thënë Bezhani. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *