Partizani arriti që të mposht Teutën në shifrat 0-1 mes shumë emocionesh. Me raste të pastra nga të dyja ekipet, të kuqtë po kryesojnë Superioren me të njëjtat pikë me durrsakët, por e kalojnë për shkakun e triumfit të sotëm. I ftuar në “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”, drejtori Olsi Rama e cilëson këtë kampionat si më të bukurin.
“Nuk dua që ta nis me polemika për arbitrat. Kemi marrë fitore në Durrës. Ekipi ynë ka treguar qëndrueshmëri dhe rritjen e nivelit të lojës. Jemi aty me meritë siç është me meritë edhe Teuta. Para disa javësh krahasonin kampionatin spanjoll me atë shqiptar, por në La Liga mbetën me 2 ekipe, ndërsa këtu janë 4 ekipe që duan të shpallen kampion me të drejtë.
Për sa kohë që unë e ndjek futbollin shqiptar, në këtë pjesë është kampionati më i bukur. Kampionati shqiptar është më e vështirë sesa mendoni, shumë i vështirë është realisht. Nëse shkon në Maqedoni dhe thua se “Buba” nuk luan në 11 titullare te Partizani do të habiteshin. Por ky është fakti”, tha Olsi Rama. /Sport Ekspres/