Plas te Kastrioti, blerja e bujshme i pakënaqur në Krujë

Projekti i Kastriotit për Kategorinë Superiore nisi shumë shpejt, krahasuar me rivalët. Objektivi ishte ndërtimi i një skuadre cilësore, me përforcime të rëndësishme nga tregu i huaj, për të siguruar mbijetesën. Një prej blerjeve të mëdha te krutanët u cilësua Aleksandros Abdel Rahim.

Mesfushori i krahut nga Sudani, por që ka edhe pasaportë greke, erdhi si një element shumë i rëndësishëm për ekipin. Megjithatë, mjaftuan vetëm tre muaj, që ditët e lumtura të përfundonin dhe të nisnin problemet. Shkak është bërë karakteri i 25-vjeçarit, i cili edhe gjatë aktivizimit në ligat e ulëta në Greqi, njihej si një lojtar problematik.

Rahim mungoi në ndeshjen ku Kastrioti humbi në fushën e Kamzës dhe trajneri Plori konfirmoi problemet me futbollistin. Në intervistën e dhënë për “SuperSport” drejtuesi i stolit analizoi situatën, duke konfirmuar se lojtari ka kërkuar ndryshime të termave të kontratës së firmosur, ndërsa si argument ka dhënë faktin që nuk mund të jetojë në Krujë.

“Rahim e kemi afruar me bujë të madhe, por kontrata mes tij dhe klubit, nuk është resektuar nga ana e lojtarit. Kushtet ishin të shkruara në letër dhe pasi firmosi, ai kërkoi t’i ndryshonte gjatë rrugës. Sipas shpjegimit të dhënë nga Rahim, ai nuk mund të jetonte në qytetin e Krujës. Kam biseduar me futbollistin rreth kësaj çështje, e kam lënë pak të qetësohet dhe më pas do të shohim çfarë do të ndodhë”, tha Plori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *