Situatë aspak e qetë te Luftëtari, sepse humbja e thellë në Letoni duket se ka krijuar konflikte brenda skuadrës dhe nuk bën përjashtim as trajneri Kostiç, i cili duket e nuk i ka mirë punët me disa titullarë, mëson Sport Ekspres.
I pari që ka dalë hapur është mbrojtësi brazilian Xhekson, i cili nuk ka udhëtuar fare me skuadrën për në Elbasan, për ndeshjen e kthimit sot në mbrëmje.
I afruar në janar të këtij viti nga futbolli grek, mbrojtësi i majtë 27-vjeçar luajti 90 minuta në Letoni dhe tashmë e ka ndarë mendjen që të largohet, aq sa ka postuar edhe një mesazh lamtumire në rrjetet sociale: “Falënderoj klubin, shokët e ekipit dhe tifozët që na kanë mbështetur gjithmonë. Falënderoj të gjithë në qytet, që më kanë mirëpritur. Kam dhënë maksimumin për klubin dhe jam i lumtur që kam hyrë në historinë e klubit, duke arritur objektivin e madh të sezonit të shkuar”.
Megjithatë, Xhekson ka kontratë deri në fund të këtij viti, ndaj Luftëtari do ta gjobitë, ose edhe do ta dënojë, ndërkohë që largimi i tij do të realizohet vetëm nëse paguhet shifra që kërkon Luftëtari, nga 50 deri në 100.000 euro.