Përfaqësueset e grupmoshave i janë nënshtruar një revolucioni me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe zbulimin e sa më shumë talenteve. Xhemal Mustedanagiç vendosi të linte mënjanë kostumin sportiv për të veshur atë të zyrtarit dhe në rolin e shefit të sektorit të ekipeve kombëtare, ka marrë përsipër të ndryshojë të ardhmen e kuqezinjve.
Madje së fundmi, është marrë një vendim: krah përfaqësueseve kryesore do të ketë edhe një skuadër B për grupmoshat. Qëllimin e zbulon vetë Mustedanagiç për “Supersport”, ku u shpreh:
EKIPET B – “Qëllimi kryesor është të shohim sa më shumë lojtarë që luajnë brenda Shqipërisë, të kenë mundësinë të aktivizohen dhe t’i vëzhgojmë nga pranë. Ekipi B te të gjitha grupmoshat do të ketë lojtarë që luajnë në Shqipëri, do të zhvillojnë ndeshje të forta për t’i testuar. Ekipin B do ta shfrytëzojmë edhe për lojtarë që dëshirojnë të provohen. Do të kemi mundësinë që provat të zhvillohen pikërisht tek ky ekip, duke mos e prekur skuadrën kryesore. Duhet që fillimisht lojtarët të kalojnë nga përfaqësueset B”.
PLANI – “Gjithçka do të ndahet në tri faza. E para, duhet të formojmë kultin e kombëtares, jo çdo njeri mund të luajë me përfaqësuesen. Faza e dytë është të përparojmë dhe të instalojmë rregullat dhe të zhvillojmë në çdo pikë ekipet kombëtare dhe e treta është faza që unë e quaj atë të përsosmërisë. Në mënyrë të vazhdueshme duhet të zhvillojmë talente për kombëtaren e madhe”.
OBJEKTIVI – “Ne synojmë që çdo vit të dërgojmë te kombëtarja e Panuçit 3 lojtarë, është shumë mirë sikur të shkojë edhe vetëm një. Unë jam shumë optimist, sepse Shqipëria ka shumë talente dhe potencial. Fëmijët shqiptarë janë shumë të lidhur me fanellën. Duhet pak kohë dhe durim, por besoj se një ditë Shqipëria do të jetë në nivele të larta. Më pëlqen fakti që shumë shqiptarë që aktivizohen jashtë kanë shprehur gatishmërinë të vishen kuqezi. Natyrisht, nga jashtë do të marrim vetëm ata që janë ‘top player’, nëse kanë të njëjtin nivel me ata që luajnë në kampionatin vendas, atëherë do të kenë prioritet futbollistët që aktivizohen në Shqipëri”.
KUALIFIKUESET – Jam optimist, por U-17 dhe U-19 kanë në grup skuadra të vështira, megjithatë kam besim që mund të shkojmë deri në ‘Elite Round’. Kombëtarja mendoj se do të jetë pjesë e rëndësishme e futbollit europian, dua me zemër që skuadra e Panuçit të shkojë në Europian”,- u shpreh Musteganadiç.