Sebino Plaku është një nga afrimet e bujshme të Llapit, klub që ka bërë disa afrime nga Superiorja. Nga sulmuesi pritet shumë, ndërkohë që ditën e sotme ka qarkulluar një lajm sikur mes Plakut dhe klubit nga Podujeva ka pasur probleme në lidhje me kontratën.
Gjithsesi vetë Plaku ka hedhur poshtë gjithçka, teksa përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook qetëson tifozët. “Përshëndetje të gjithëve! Ditën e sotme ka qarkulluar një lajm sikur mes meje dhe klubit të Llapit ka pasur probleme, por realisht nuk ka asgjë të vërtetë. Hedh poshtë gjithçka dhe më vjen keq që qarkullojnë informacione të tilla.
Të gjithë tifozët e Llapit të jenë të qetë! Mezi pres fillimin e kampionatit për të kontribuar në arritjen e objektivave madhorë që klubi ka vendosur. Do bëj çfarë të mundëm, që me ndihmën e gjithë shokëve të skuadrës të gëzojmë çdo tifoz tonin në Podujevë dhe kudo në Kosovë”.