Sebino Plaku është transferuar zyrtarisht te Kamza, duke firmosur për klubin e sapongjitur në Superiore, pas një vere të mbushur me emocione në Europë me Skënderbeun. Vera ishte e mbushur edhe me polemika, sepse Plaku akuzoi hapur trajnerin Ilir Daja se nuk i jepte qëllimisht hapësirë në formacion dhe se nuk komunikonte fare me të.
Edhe tani që është larguar nga Korça, Plaku ka fjalë të mira për të gjithë, nga drejtuesit e deri te tifozët, por nuk e harron pengun e tij, duke i nisur një përshëndetje edhe njeriut që sipas tij e luftoi gjithnjë.
“Kohët e fundit kam hasur një problem (personal) te Skënderbeu. Nuk jam tip që krijoj probleme, por ndonjëherë situatat të imponojnë të shprehesh hapur për atë që ndodhi. Kurrë nuk do të flas keq për Skënderbeun, skuadër që e kam dashur dhe e dua me gjithë zemër. Problemin e kam pasur dhe do ta kem personal.
“Falënderon drejtuesit, shokët e skuadrës, tifozerinë e zjarrtë dhe njëkohësisht atë person që më luftoi në çdo moment. Kurrë nuk do të harroj!
“Tani është momenti që të nis një karrierë të re, falënderoj shumë Kamzën për besimin, ishin të parët që shfaqën interes, edhe kur nuk luaja fare”, shkruhet ndër të tjera në postimin e Sebino Plakut në faqen e vet zyrtare në Facebook.