Plaku humbet supersfidën ndaj Laçit, por Kamza gabon që flet për komplot

Sebino Plaku shënoi një supergol dje ndaj Flamurtarit, një gol që mund të vlejë sa një sezon, sepse tashmë mbijetesa është shumë pranë. Në fakt, festa është e ndaluar, sepse dy ndeshjet e radhës janë beteja të egra dhe kundër Laçit në fundjavë nuk do të jetë absolutisht e lehtë, duke ditur tensionin mes dy klubeve kohët e fundit, për shkak të ngacmimeve absurde të Xhelal Mziut.

Goli i shënuar dje në një farë mënyre i ka kushtuar rëndë Sebino Plakut, sepse do të mungojë për pezullim ndaj Laçit. Sulmuesi nga gëzimi ngriti fanellën dhe e vendosi mbi kokë për disa momente, duke bërë që Juxhin Xhaja ta ndëshkonte me karton të verdhë.

Kamza ka protestuar ashpër sot, me një postim në faqen e vet në Facebook, duke akuzuar për komplot: “Vendosi fanellën në fytyrë për 2 sekonda! Arbitri e ndëshkoi me kartonin e verdhë për të munguar ndaj Laçit. Është normale që ndaj tij të thuren skenarë, sepse është tmerri i Superiores. Por kemi parë arbitrat që kur duan janë tolerantë. Ndaj një lojtari simbol i mirësjelljes si Plaku, kryesori Xhaja mund të mos ishte kaq strikt. Dhe kur mendon gjendjen emocionale të lojtarit në ato momente kur shënon një gol me peshën e shpëtimit për ekipin e tij, kupton se edhe mund ta falësh. Shpresojmë që arbitrat të jenë gjithmonë kaq të egër sa ndaj nesh. Gjithsesi, askush nuk e ndalon dëshirën tonë për mbijetesë! Para Kamza”.

Ndoshta Kamza ka të drejtë te pika ku thotë që në Shqipëri rregulloret zbatohen sipas qejfit, mjafton të shohësh penalltitë, ku 45 futbollistë janë në zonë në momentin e gjuajtjes dhe mund të ndëshkohet me karton ndonjëri që harron të vrapojë drejt portierit kundërshtar.

Megjithatë, në rastin e Sebino Plakut nuk ka komplot, por thjesht rregullore. Duke shfletuar rregulloren e FIFA-s, vendimi 6 i ligjit 12 thotë: “Një futbollist i cili heq fanellën ndëshkohet me karton të verdhë për sjellje antisportiv. Heqja e fanellës konsiderohet e tillë edhe kur mbulon kokën me fanellë”. Ja dhe ilustrimi i FIFA-s, kur ka dhe kur nuk ka karton. Xhaja e zbatoi shumë mirë rregulloren, bravo i qoftë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *