Robert Pires ishte një nga lojtarët më të mirë të Arsenalit fantastik të viteve 2000. Ish-anësori ofensiv, fitues i Botërorit dhe Europianit me Francën, luajti për gjashtë sezone me “topçinjtë”, ndërsa tashmë punon si trajner në klubin londinez.
Ai ka komentuar duelin kundër Napolit në Ligën e Europës. Francezi ka shumë respekt për ekipin italian dhe trajnerin Ançeloti. Në një prononcim për “Radio CRC”, Pires analizon pikat e forta të Napolit, zbulon prapaskenën me Karlo Ançelotin dhe pranon që do i pëlqente të stërvitej dhe të luante në ekipin e tij.
NAPOLI – “Arsenali ka ndryshuar shumë me kalimin e viteve. Ekipin e shoh të fortë dhe e rendis mes tre më të mirëve në Premier. Duelet kundër Napolit do të jenë të vështira. Sapo ekipi italian u eliminua nga Champions-i, paralajmërova kolegët e mi se u shtua një favorit tjetër për fitimin e Ligës së Europës. Nuk mund të mos jesh i tillë me një trajner si Ançeloti, një nga trajnerët më të mirë që ekzistojnë. Lojtarët e tyre më të rrezikshëm janë: Mertens, Insinje, Kulibali dhe Kajehon.”
PRAPASKENA DHE PARASHIKIMI – “Kujt nuk do i pëlqente një trajner si Ançeloti. Patëm kontakte verën e kaluar, por nuk e di se çfarë ndodhi dhe nuk u bë asgjë. Emeri po punon mirë dhe është përshtatur shpejt. Dora e trajnerit u duk në fitoren e fundit. Napoli ishte i frikshëm përballë Romës. Ata janë më të fortë se Çelsi. Nëse eliminojnë Arsenalin do të fitojnë trofeun.”
DËSHIRA – “Do të më kishte pëlqyer të luaja në Napolin e Ançelotit. Skema 4-4-2 është perfekte, pasi sulmon, mbron dhe ke ekuilibër. Ata kanë Alanin në mesfushë, një ndër më të mirët në botë në rolin e tij. Pastaj do të më kishte pëlqyer të stërvitesha nga Karlo, do të mësoja shumë prej tij. Ai është ndër trajnerët më të mirë në botë.”