Aksidenti tragjik, i cili i kushtoi jetën presidentit të Leister Sitit, mund të kishte përmasa edhe më të mëdha, nëse nuk do të ishte për pilotin e helikopterit. Kameramani i televizionit “Sky Sports”, Dan Koks, i cili ishte një prej dëshmimtarëve të ngjarjes rrënqethëse, tregoi me detaje momentin e aksidentit.
Sipas tij, piloti hero arriti që ta devijonte mjetin fluturues larg turmave të tifozëve, duke bërë që përplasja në tokë të ndodhte në parkingun e stadiumit. Në momentin kur helikopteri i pronarit të klubit u ngrit nga fusha e “King Pauër Stadium”, kameramani i “Sky Sports” po dilte nga impianti, pas përfundimit të intervistave të ndeshjes.
Për “Sky News”, Koks tha: “E dëgjova zhurmën e helikopterit teksa po largohej nga stadiumi. Zhurma më tërhoqi vëmendjen dhe ngrita kokën, duke menduar se për pak çaste do të largohej. Por, papritmas ai humbi kontrollin dhe po rrotullohej në ajër. Rrotullohej vazhdimisht, nuk kisha parë asnjëherë diçka të tilë.”
Ai shtoi: “Nuk e di si e bëri piloti, por dukej që arriti të ngadalësonte rrotullimin në ajër dhe e devijoi helikopterin në cepin e parkingut të makinave”. Ndërsa Koks mori sërish kameran për të regjistruar pamjet, dy oficerë policie provuan ti afroheshin helikopterit, për të dhënë ndihmën e parë, por u zmbrapsën nga flakët.”
“Me gjithçka pashë dhe atë që përjetova, për mua piloti ishte hero. Edhe dy policët që ndodheshin përpara meje dhe tentuan të jepnin ndihmën e tyre, janë gjithashtu heronj. Tragjedia mund të kishte përmasa edhe më të mëdha, nëse piloti nuk do ta devijonte helikopterin larg turmave të tifozëve.”