Pike ndërron mendje: Nuk e lë në “baltë” Spanjën!

Mbrojtësi katalanas lë mënjanë tensionet politike: Mendova të largohem, por pastaj e kuptova se përfaqësuesja është familja ime

Situata e fundit e tensionuar në Spanjë, pas dhunës së policisë për shkak të tentativës për referendum për t’u ndarë nga Spanja e Katalonjës, Zherard Pike kishte përfunduar në “syrin e ciklonit”. Kjo, pasi ishte folur për një largim të tij nga kombëtarja, çka u mohua menjëherë nga trajneri Lopetegui. Por, dje, Pike ka vendosur të flasë vetë, duke qetësuar të gjithë.  “Më vjen shumë keq për shokët e mi. Për fajin tim janë ata mbuluar me pyetje në lidhje me mua dhe me politikën dhe kjo nuk është e drejtë. Kjo është arsyeja përse erdha të përgjigjem vetë për pyetjet që keni”. Kështu, mbrojtësi katalanas, në mënyrë të befasishme, ka dalë në konferencë për shtyp në “Las Rozas”, pika e grumbullimit të kombëtares spanjolle, ku po vazhdojë përgatitjet për eliminatoren kundër Shqipërisë në Alikante.

FAMILJA IME – “Jam i bindur se me dialog dhe respekt mund të rregullohen gjërat, – tha Pike. – Nuk është kënaqësi kur të vërshëllejnë dhe të ofendojnë, por jam i bindur se nëse do të kisha mundësinë të darkoja me dikë nga ata që më kontestojnë, nuk do ta bënin më diçka të tillë. Kam menduar të largohem nga kombëtarja, por pastaj mendova se është më mirë të qëndroj dhe ta rregulloj situatën. Mendova se po të largohem do t’i jepje të drejtë atij minoriteti në stadium që vërshëllen dhe ofendon lojtarët. Kjo skuadër përfaqësuese është si një familje për mua.”

POLITIKA – Pike refuzoi të deklaronte publikisht nëse ishte “pro” apo kundër pavarësisë së Katalonjës nga pjesa tjetër e Spanjës. “Ne futbollistët jemi marka të njohura botërisht dhe nëse do të deklaroja diçka në lidhje me këtë temë do të humbisja gjysmën e tifozëve”,  pohoi qendërmbrojtësi me arsyetimin e një biznesmeni, të cilin e tregoi edhe kur e pyetën për marrëdhëniet me “atdhetarin” Sergio Ramos: “Marrëdhënia me Sergio është fenomenale, jeni ju gazetarët që shpikni shumë gjëra. Shkojmë aq mirë sa po mendojmë atë hapim një aktivitet së bashku. Keni për ta parë…”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *