Rezulton shkelje statusore nëse vendoset të bëhen pas Kampionatit Evropian, sepse me status kryhen 30 ditë pas vendimit për dorëheqje
Gjergj Vyshka
Peshëngritja shqiptare është ende pa datë zgjedhore, edhe pse më 18 janar presidenti Elez Gjoza, kjo dhe me vendim të kryesisë së Federatës Shqiptare të shtangës, ka dhënë dorëheqjen. Një vendim që tashmë është depozituar dhe në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe i është dhënë dhe shefit të politikave e strategjisë për sportin dhe rininë, Arjan Konomi. Qe vendosur dhe presidenti i komanduar Gudar Beqiraj, që është president nderi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, por që është në shkelje me statutin. Sepse Federata Shqiptare e Peshëngritjes, gjithnjë referuar vendimit të 18 janar, pat deklaruar se Beqiraj është shpallur në zgjedhjet e vitit 2016 në Vlorë zëvendëspresident. Në një kohë që të jesh zëvendëspresident duhet të jesh anëtar i kryesisë dhe si i tillë Beqiraj nuk plotëson këtë lloj standardi për të qenë president i komanduar. Në statutin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, që është firmosur më 17 shkurt 2011 nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri dhe që është në fuqi ende në nenin 23, pika f në kapitullin “detyrat e presidentit” thuhet: Në rastin kur Presidenti jep dorëheqjen Komiteti Drejtues cakton zëvendëspresidentin të kryejë funksionet e presidentit përkohësisht deri në thirrjen urgjente të Asamblesë së Jashtëzakonshme. Parë kështu, kur tashmë nuk ka as president, as Komiteti Drejtues, por as president të komanduar, Federata Shqiptare e Peshëngritjes duket se ka pushuar së ekzistuari. Në të tilla kushte, kur ishte thënë që zgjedhjet e reja do të bëhen pas përfundimit të Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për të rritur, që është më 22 mars – 1 prill, atëherë bëhet urgjente thirrja e saj. Nga 18 janari, që është marrë vendimi i dorëheqjes së Gjozës, deri më 18 shkurt janë 30 ditë për thirrjen e kësaj Asambleje, sikurse parashikohet dhe statut. Pikërisht në nenin 18 pika 3 në kapitullin “Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme” thuhet: Njoftimi për mbledhjen e asamblesë së jashtëzakonshme duhet t’u dërgohet anëtarëve 30 ditë përpara zhvillimit të saj. Pa thënë që në të njëjtin nen në pikën dy parashikohet: Kur të paktën 1/3 e anëtarëve të Asamblesë së Federatës Shqiptare të Peshëngritjes bëjnë kërkesë me shkrim, Komiteti Drejtues është i detyruar të thërrasë një Asamble të Përgjithshme të Jashtëzakonshme jo më vonë se dy muaj pas marrjes së kërkesës. Nëse Asambleja nuk mbahet anëtarët që e kërkuan atë mund ta thërrasin mbledhjen vetë duke ngarkuar një kryetar me një grup pune të përkohshme. Jo më vonë se dy muaj, atëherë në logjikë kjo asamble duhet të jetë maksimumi më 18 mars. Që do të thotë se çdo shtyrje pas Kampionatit Evropian së të rriturve, ndërsa ende nuk është e qartë nëse do të merret pjesë apo jo, është shkelje statuti. Sepse tashmë është koha për ringritjen e peshëngritjes dhe jo rrënimin deri në fund të saj. Sepse largimi i Kampionatit Evropian, as më pak e as më shumë është pjesë e mëkatit e atyre që kanë dhënë dorëheqjen sot. Peshëngritja ende pa datë zgjedhje është alarm që duhet të shkundë jo vetëm Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, por dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Të dy bashkë mund t’ia ndryshojnë faqjen kësaj Federate, ose së paku të caktojnë një komisar deri në zgjedhjet e reja (rasti më i freskët është Federata e Futbollit të Italisë, e cila në mungesë të zgjedhjes për president ka tashmë një komisar të përkohshëm). Shkurt, zgjedhjet e reja dhe funksionimi i plotë i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes janë urgjente…