Pesë orë mbledhje, merr udhë Vllaznia e re

Gaspër Marku

Vllaznia u ka dhënë fund pushime verore dhe sot i kthehet fushës. Kuqeblutë do të jenë sot të gjithë në rresht për të filluar përgatitjet e sezonit të ri, nën komandën e trajnerit Armando Cungu. Marrin fund kështu gjithë aludimet për një largim të mundshëm të trajnerit Cungu, i cili do të vazhdojë punën si më parë, bashkë me ndihmësit Aleksandër Maxhar dhe Avenir Dani. Nuk ka më asnjë dyshim edhe për drejtorin sportiv Eugent Zeka, i cili vazhdon punën, ashtu si stafi teknik.

TAKIMI – Në një takim të zhvilluar dje mes trajnerit Cungu, drejtuesve të klubit Gjyrezi e Zeka, atyre të akademisë Hoxha e Hasani, përfaqësuesve të bordit dhe komisionit të sportive në bashki, e pranishme ishte edhe kryebashkiakja-presidente, Voltana Ademi. Po ashtu, në takim mori pjesë edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Xhemal Bushati, duke lënë kështu përshtypjen se do të ketë zhvillime pozitive për Vllazninë. Pas takimit, që zgjati jo pak, por 5 orë, të gjithë pjesëtarët u shprehën me nota entuziaste, tek-tuk edhe me humor, duke lënë të kuptohet se situata është në rregull. Këtë ide e përforcon edhe administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, i cili ka dhënë disa detaje nga takimi: ”Ishte një mbledhje e zgjeruar me kryebashkiaken Voltana Ademi, kryetarin e Këshillit Bashkiak Xhemal Bushati, pjesëtarë të bordit, administratës, klubit dhe stafi teknik. Kjo mbledhje maratonë ishte analiza e hollësishme e sezonit të kaluar, ishte një analizë financiare e sportive. U diskutua për akademinë dhe Vllaznisë e sezonit të ri. U lanë detyrat përkatëse për stafin teknik dhe administrim, që do të vazhdojnë punën për organizimin sa më të shpejtë të ekipit. Duhet të theksohet mbështetja maksimale për ekipin nga Bashkia Shkodër, që gjeti mbështetjen maksimale edhe nga Këshilli Bashkiak. Të gjithë janë të gatshëm, si gjithmonë, për ta mbështetur ekipin e sezonit të ardhshëm. Nuk jemi vonë, pasi kampionati fillon më 9 shtator dhe që Vllaznia e ka të mjaftueshme kohën e përgatitjeve”, – u shpreh administratori Gjyrezi.

Bashkëpunimi Zeka-Cungu

Një çështje shumë e diskutuar e këtyre ditëve ishte një “konflikt” mes teknikut Cungu dhe drejtorit sportiv Zeka, por Gjyrezi konfirmoi se nuk ka asnjë problem dhe nuk pati debat në këtë drejtim. “Patjetër, të dy do të vijojnë punën dhe bashkëpunimin mes tyre. Stafi teknik do të vazhdojë punën, trajneri Cungu me stafin e tij, drejtori sportiv po ashtu. Pra, çdo gjë funksionon si më parë. Ishte e nevojshme të zhvillohej një analizë e tillë. U konfirmua mbështetja financiare nga bashkia dhe tashti them se është momenti që të gjithë të lëvizim për ndërtimin e ekipit sa më parë. Nuk ka pasur asnjë konflikt Cungu-Zeka. Këtë nuk ma kanë thënë as Cungu dhe as Zeka. Patjetër që kanë komunikuar me njëri-tjetrin, kanë ndarë mendime dhe do t’i shikoni bashkë ditët në vazhdim, në shërbim të Vllaznisë”, – ka sqaruar numri 1 i klubit kuqeblu.

Sezoni i fundit

Për sezonin e fundit, përpos ndonjë luhatjeje në pjesën e fundit të tij, Gjyrezi theksoi e skuadra nuk ka bërë paraqitje të keqe. Sipas tij, këtë gjë e tregon fakti që në fund të kampionatit Vllaznia ishte në kuotë të barabartë pikësh me vendin e katërt: “Pavarësisht si erdhën ngjarjet, Vllaznia ishte në vend të katërt dhe në fund e mbylli e pesta. Mendoj se kemi bërë ndeshje dinjitoze, jemi eliminuar nga kupa ashtu siç u eliminuam. Synimi ynë, siç e kam thënë shpesh, ka qenë “mesi i artë”. Morëm pikë më shumë se vitin e kaluar. Kanë influencuar negativisht dëmtimet në ekip gjatë fazës së tretë dhe të katërt. Është bërë një seleksionim i lojtarëve, të cilët do të vazhdojnë të qëndrojnë te Vllaznia, në përputhje me kontratat përkatëse. Nuk ishte një kampionat i dështuar i Vllaznisë. Eshtë përgjegjësi edhe e lojtarëve, që ndeshjet e fundit, për probleme të ndryshme, nuk kanë luajtur si duhet. Kjo gjë mund të lidhet edhe me mosrinovime kontratash, pra në një farë mënyre, mosriciklimi i disa lojtarëve, është pjesë e përgjegjësisë.”

Financat nuk mungojnë

Një nga pyetjet për administratorin Gjyrezi ishte ajo e financave të Vllaznisë për skuadrën e sezonit të ri, ndërkohë që llogaritë e klubit vazhdojnë të jenë të bllokuara. “Besoj se është një problem, që do të kapërcehet, paratë do të gjenden nga bashkia, që ka në mbështetje edhe Këshillin Bashkiak. Problemi i llogarive të bllokuara është një çështje juridike, pasi klubi është në gjyq. I jemi drejtuar për një padrejtësi, që na është bërë Gjykatës së Apelit dhe vazhdon çështja gjyqësore. Besoj se shumë shpejt do të kemi edhe konkluzionet përkatëse për zhbllokimin e llogarive”, – sqaron Gjyrezi. Sipas tij, zgjidhja do të gjendet patjetër, por e rëndësishme është që takimi i drejtuesve u bë, duke vendosur pikat mbi “I” për organizimin e ekipit, firmosjen e kontratave dhe vazhdimësinë e lojtarëve të sezonit të fundit. “Theksoj se baza e ekipit do të jetë grupi që ishte, do të jenë shkodranët, do të ketë afrime nga ekipi U-19 dhe për ato vende, që trajneri dhe drejtori sportive gjykojnë se janë të domosdoshme për të ndërhyrë në merkato, patjetër që do të bëhen blerje.”

Sot fillon stërvitja

Ashtu siç edhe ishte parashikuar, starti i përgatitjeve të skuadrës për sezonin e ri ishte i lidhur direkt me analizën në fjalë, gjë që e kanë pohuar disa herë pjesëtarët e stafit teknik dhe të klubit. Administratori Gjyrezi pohoi se stërvitja fillon sot,kurse detajet e tjera i përcakton trajneri Cungu. “Trajneri Cungu, drejtori sportiv dhe unë si administrator, të gjithë së bashku, do të fillojmë punën për përgatitjen e ekipit, duke azhornuar ato kontakte, që janë bërë më përpara për afrimin e lojtarëve dhe ndërtimin e Vllaznisë së sezonit të ardhshëm. Stërvitja nis nesër (sot). Trajneri Cungu kërkoi mbështetje për organizimin e ekipit, mbështetje që nuk i ka munguar nga bashkia, pasi vazhdimisht ka qenë e gatshme, ashtu si Këshilli Bashkiak. Nevojat që ka pasur klubi, është munduar të na i plotësojë”,  – tha Gjyrezi.

 

Çështja “Hasani”

Emri i shkodranit Edon Hasani ishte një ndër lëvizjet e para të kuqebluve në merkato, por që ka shumë e shumë ditë që vijon të qëndrojë e “ngrirë”. “Çështja Hasani dhe e të tjerëve, që janë në diskutim te Vllaznia, mbas këtij momenti do të marrin zgjidhje. Do të ketë komunikime më të shpeshta dhe në ditët në vijim do të kemi lajme pozitive në këtë drejtim. Tani, me grumbullimin e ekipit, do të jemi edhe më afër shtypit sportiv dhe do të flasim për ecurinë e merkatos”, – përfundoi Gjyrezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *