Kristiano Ronaldo është mbreti i rrjeteve sociale mes futbollistëve, por jo vetëm. Ylli portugez kryeson krahasuar me të gjithë sportistët e tjerë dhe me personazhet mbarëbotërorë të të gjitha fushave. Përfundimi ka ardhur pas një sondazhi të agjencisë së shërbimeve, KPMG.
Sulmuesi i Juventusit rezulton të jetë personazhi që ka më tepër ndikim në botë. Më tepër se Lionel mesi, Papa Françesku apo edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp. Në fushën e tij, pra në atë të futbollit, CR7 numëron afro 340 milionë ndjekës ndërmjet “Facebook”, “Instagram” e “Twitter”, përballë “vetëm” 250 milionëve të Nejmar dhe 189 të Leo Mesit.
Nëse krahasohet edhe me sportistët e tjerë të nivelit botëror, hendeku bëhet edhe më i madh, sepse më i afërti është ylli i basketbollit, LeBron Xhejms, i cili ka 106 milionë ndjekës, ndërsa diferenca bëhet edhe më e frikshme përballë emrave si Stef Kërri apo Konor MekGregor, të cilët kanë diçka më tepër se 40 milionë ndjekës.
Nëse vazhdohet me krahasimet, Kristiano Ronaldo i’a kalon edhe personazheve me emër në botë, si këngëtarët Xhastin Bieber dhe Tejlor Suift, të cilët kanë përkatësisht 284 dhe 268 milionë ndjekës, ndërsa Barak Obama është në kuotën 176 milionë. Donald Tramp dhe Papa Françesku janë shumë larg, me 90 milionë dhe 11 milionë ndjekës.